Qytetarët e RMV-së më shumë besojnë në bashkësi fetare, më pak në gjyqësor, tregon anketa e Institutit për Demokraci

Besueshmëri më të lartë te qytetarët kanë bashkësitë fetare, ushtria dhe policia, ndërkaq më të ulët prokuroria, gjyqësori dhe Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit. Këtë e tregon hulumtimi i fundit i përgatitur në kuadër të “Programit për Mbështetje Parlamentare” nga ana e Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, njofton Portalb.mk.

Anketa në terren është kryer në periudhën prej 22 shkurt deri më 9 mars me 1.002 të anketuar në moshë mbi 18-vjeç në tërë territorin e shtetit, nëpërmjet metodës sy më sy.

Rezultatet e anketës së "Societas Civilis"
Rezultatet e anketës së “Societas Civilis”

Në lidhje me institucionet në sistemin politik, presidenti ka besueshmëri më të lartë prej 3,6%, derisa Kuvendi 3,4% dhe Qeveria 3,3%. Qytetarët sipas anketës kanë besueshmëri më të ulët në partitë politike, vetëm 3%.

Hulumtimi tregon se pjesa dominuese e qytetarëve të anketuar (79%) vlerësojnë se tërësisht ose pjesërisht janë të varur nga vullneti i liderëve të partive politike prej ku vijnë. Sipas pjesëmarrësve në fokus-grupet ekziston “hierarki rigoroze partiake ku elitat më të larta merren vesh, ndërkaq të tjerët zbatojnë”.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (52%), pajtohen se ndryshimi i modelit zgjedhor mund të kontribuojë në zvogëlimin e varësisë së deputetëve nga liderët partiak.

Në pyetjen “nëse zgjedhjet do të mbaheshin javën e ardhshme për cilën parti do të votonit?”, më shumë se gjysma janë përgjigjur se nuk do të votonin.

Ndërkaq 17% janë deklaruar për VMRO-DPMNE-në, 12% për LSDM-në, 12% pë BDI-në, 4% për Levicën, 3% për Aleancën për Shqiptarët dhe 1% për Lëvizjen Besa.

“Që më mirë të kuptohen qëndrimet e qytetarëve për politikanët dhe partitë politike, gjatë hulumtimit u përdor trajnim me personifikim, gjatë së cilës kërkuam nga pjesëmarrësit që të identifikojnë parti politike me automjet. Pjesëmarrësit kryesisht i kanë identifikuar partitë politike me vetura të shpejta dhe sportive, por njëkohësisht edhe me automjete të cilat shpesh prishen dhe për të cilët kërkohet servisim i shtrenjtë”, thuhet në publikimin e “Societas Civilis”, i cili është financuar nga Qeveria e Zvicrës.

Në lidhje me ndodhitë politike rajonale dhe ndërkombëtare, 68% e të anketuarve tërësisht ose pjesërisht nuk pajtohen me deklaratën “Bullgarët etnik duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut”. 54%, tërësisht nuk pajtohen me këtë deklaratë, që është për 13% më e lartë se vitin 2022. Vetëm rreth një çerek e të anketuarve tërësisht ose pjesërisht pajtohen që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë.

Qytetarët e anketuar, kryesisht vlerësojnë se Serbia është partner më i madh ekonomik (69%) dhe i sigurisë (63%), ndërkaq më pas është Shqipëria partner ekonomik (15%) dhe i sigurisë (21%).

“Qytetarët kryesisht nuk i vlerësojnë shtetet e Kosovës, Greqisë dhe Bullgarisë si partnerë të mëdhenj ekonomik dhe të sigurisë në krahasim me Serbinë dhe Shqipërinë”, thuhet në hulumtim.