Qorrat gjuajnë pa gabime

Para shumë vitesh, tek po udhëtoja përtej Atlantikut, në duart e një bashkudhëtari të panjohur pashë librin e shkruar në bullgarishte me titullin sugjestiv: “Слепите стрелят без грешки” (shqip: “Qorrat gjuajnë pa gabime”), të shkrimtarit Andrei Voronin, që më zgjoi kureshtjen për të mësuar diçka të  re, për të zbërthyer mesazhet e koduara, për të hyrë në hollësirat e të panjohurës…

Nuk ishte hera e parë që më bëri për vete titulli provokues i një vepre letrare, po këtë s’e prisja të ndodhë nentëmijë  metra mbi dallgët e kreshpëruara të oqeanit, të cilat më kallën frikën, që përpiqesha ta bëj të paqenë duke lexuar romanin “Enciklopedia e të vdekurve” të shkrimtarit të shquar hebre, Danillo Kishit. Por, sado që po lexoja një kryevepër arti, mendja më ikte te libri i Voroninit. Në fakt, ajo qe ndarë në dy pjesë të barabarta, njëra prej të cilave merrej me dallgët egërshane, kurse pjesa tjetër qe zhytur në brendinë e librit të udhëtarit komshi dhe po bënte leximin më virtual që mund të merret me mend.

Po, po. Unë po zbërtheja me sytë e mendjes faqet dhe kapitujt e librit të palexuar, me bindjen se një titull aq sugjestiv duhet të jetë libri vetë. Thjesht, mendoja se shkrimtari fliste për rojet e shpirtit të popullit; për hafijet e ekzistencës sonë prej mikrobi; për viktimat e politikave virtuale; për gjimnastikat e t’kurrjes së trurit; për sulltancentaurët e diktaturave demokratike; për llogaritë që duhet dhënë pushtetit dhe pushtetarëve; për prototipat e horrave të botës, që kanë marrë mbi vete sikterisjen e njerëzimit; për patriotët e rremë që banojnë në strehën e maskarenjëve të Samuel Johnson-it; për haremet letrare ku mund të anëtarësohen vetëm prodhuesit e kakërdhive dhe estetikës klitoristike; për shtrungat me kulturë të vockël, art mediokër dhe krakter shumështresor;  për pleshtat meskinë që s’mund t’gjallojnë pa mezdrat mbrojtëse, që nuk shkyhen kollaj në mbretërinë e paskajshme të mendjes hodume; për hatret e rreme të fisit të madh dhe, natyrisht: për nishanxhinjtë qorra që, mjerisht, gjuajnë pa gabime fatkëqinjtë e mesjetës moderne…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.