QMK: Shtatë zjarre aktive, katër nën kontroll, 27 janë shuar

Qendra e Menaxhimit me Kriza (QMK) njoftoi se deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm, janë regjistruar gjithsej 38 zjarre në të gjithë vendin, nga të cilat shtatë janë aktive, katër nën kontroll dhe 27 u shuan, transmeton Portalb.mk.  

Sipas raportit të QMK-së, zjarret ende janë aktive në këto vende: 

  1. Komuna Çuçer Sandevë: ndërmjet fsh. Bllacë dhe fsh. Gornjani, në vendin e quajtur “Ramna Shuma” (zjarr në pyll)
  2. Komuna Prilep: fsh. Beshishtë, në “Beshishtki Rid” (zjarr në pyll të përzier, në tokë)
  3. Komuna e Brodut 1: ndërmjet fsh. Çresnevë dhe fsh. Lokvicë (pyll i degraduar dushi dhe shkurre)
  4. Komuna e Brodut 2: fsh. Krapa (pyll me pemë të ulëta)
  5. Komuna Dojran: fsh. Nikolliq (pyll me pemë të ulëta)
  6. Komuna Çashkë: poshtë Solunska Glava, ndërmjet vendeve “Burimet e Babunës” dhe “Babina Duka” (pa flakë aktive, vetëm tym në pjesë shkëmbore)
  7. Komuna Tetovë: afër pompës së benzinës “Okta Petrol” (arë)

Janë vënë nën kontroll zjarret në Makedonski Brod në tre lokacione dhe në Dellçevë në deponinë e qytetit Ostrec. 

Janë shuar zjarret në Shuto Orizari në fshatin Vizbeg, në Gjorçe Petrov, Gazi Babë, Aerodrom, Kisella Vodë, Studeniçan, Strumicë, Vasilevë, Veles, Kavadarci, Karbinci në tre lokacione, Dellçevë në dy lokacione, Koçan në dy lokacione, Kumanovë, Kriva Pallankë në tre lokacione, Zhelinë, Tetovë në dy lokacione, Gostivar, Prilep dhe Dollneni.

Qendra për Menaxhim me Kriza u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe sjellje të përgjegjshme, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe motit të thatë, me qëllim të parandalimit të zjarreve të mëtejshme dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor. 

Maqedonia e aktivizoi mekanizmin e BE-së për ndihmë në përballimin e zjarreve

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për shtyp me 9 korrik njoftoi se për shkak të seriozitetit të situatës me zjarret në pyje në të gjithë vendin, kanë kërkuar ndihmë nga BE-ja.

“Është aktivizuar edhe mekanizmi për ndihmë evropiane në përballimin e zjarreve dhe të gjitha kapacitetet e shtetit po vihen në funksion në masën maksimale të mundshme”, tha Toshkovski.

Nga ana tjetër, Armata u angazhua në shuarjen e zjarrit me vendim të presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, pas vendimit të Qeverisë së RMV-së për gjendjen e krizës 30 ditore.

Kurse për të zbutur këtë situatë,  me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.  Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS). Në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.