Ky shkrim është refreni tragjikomik që reciklohet jermshëm udhëkryqeve të historisë, përgjatë të cilëve shqiptari mllaçit kryen e vetvetes, me një energji të pashoqe destruktive. I katandisur dhe i lënë fuqie ai derdh komplekset mbi qenien personale, në trajtë egërsie vetasgjësuese.
Rrugët ia ngatërrojnë prijësit (h)qorra (respekt përjashtimeve!), lidershipët e idealeve të rreme dhe filozofia mjerane: caku i fundit – fjala e parë…
Shihni fqinjët! Na i përdhosin të drejtat dhe piskëllojnë: na mbytën! Kurse ne krokasim të kundërtën dhe të pundulitur me llost këndojmë: s’ka shka m’ban bumja mue?!, pa çka se të vetmen armë kemi micsokolllëkun eterik.
Për çudi, inteligjencia e shqiptarëve të Oazës, që rrezaton nasradinçe vlera, nuk bëzan. Hesht dhe luan dajan salephaneve ku zakonisht përgojohen kurvëritë e grave të huaja. Arsyeja e heshtjes së mentarëve të vetëshpallur ndodh edhe për shkak të uçkurit të ngushtë intelektual, apo pse kanë për të thënë diçka për gomarin e kasabasë, që i prinë karvanit të deveve…
Në derexhen në të cilën jemi katandisur, inteligjencia jonë e gjenë të udhës të barikadohet prapa himenëve mbrojtës të patriotizmit me llafe, duke justifikuar njëpërnjë çdo urdhër të Padronit, që miratohen nga xhemati partiak me brohoritje dhe histeri, ngase asnjë levantin nuk denjon të thotë: kadali burra se u kllumëm!
Tani më e dinë edhe laraskat se nëpër hanet politike sorrollaten përlakë të vegjël trojanë, përmes të ciëve hikmi justifikon zhveshjen me këste të përshpejtuara të indianëve, të cilët, post festum, do të përpiqen të lajnë ndërgjegjen me protesta mjerane të degëve, nëndegëve dhe krandeve të partive politike të katandisura nga tragjedia në operetë, siç do të thoshte gjeniu i letrave shqipe, Faik Konica.
Në kësi rrethanash urtarët nuk konkurojnë në tezgën boshe të mendjes indiane, ngase inflacioni i babucëve të kombit dhe rojeve të namusit s’ka qenë kurrë më vërshimë, por e shohin ashiqare se notojmë në ujëra të turbillt, që mund t’na e zhbëjnë rasatin. Ne jetojmë në Ballkan, në vilajetin që akoma kultivon fobi, ankthe qeniesh e kreaturash lilipute, kulte mbi komora gazi dhe “satara” kasapësh për gjynahët që ligësitë i luftojnë me duanë: Bane Zot ëndërr!
Në kësi zamanesh askush nuk e di si do të përfundojë hallakatja kolektive në cirkun brohoritës dhe vërdallisja në terrinën mesjetare pa asnjë deriçkë dalëse nga hamami.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.