Qeveria e shfuqizoi kontratën e koncesionit për guroren në Straçincë
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, njoftoi se Qeveria ka shfuqizuar njëanshëm Kontratën e koncesionit për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në territorin e fshatit Straçincë, komuna e Gazi Babës, e nënshkruar 10 vite më parë me „Melkam Engineering“ nga Shkupi, transmeton Portalb.mk.
Sipas Mexhitit, vendimi u mor për shkak të mangësive serioze.
“Koncesionari nuk ka siguruar shfrytëzimin minimal prej 20% sipas kontratës, pra 25.000 ton në vit, në vitin 2022 janë nxjerrë vetëm 277 ton, në 2023 nuk ka pasur aktivitet, dhe në vitin 2024 vetëm 187 ton. Aktivitetet janë ndërprerë shpesh dhe nuk janë respektuar detyrimet ligjore, gjithashtu koncesionari nuk ka paguar taksën e koncesionit për sasinë e nxjerrë gjatë tre viteve të fundit”, deklaroi Mexhiti.
Inspektimi i jashtëzakonshëm i kryer nga Inspektorati Shtetëror për Energji, Miniera dhe Burime Minerale konfirmoi se koncesionari nuk e ka përmbushur kontratën dhe ka pasur ndërprerje të gjatë në aktivitet.
Me këtë vendim ndalon vlefshmëria e koncesionit, dhe të gjitha institucionet përgjegjëse janë njoftuar për masat e mëtejshme.
Banorët e Straçincës në shtator, për një javë rresht kundërshtuan përpjekjen e kompanisë për hapjen e gurores 300 metra vijë ajrore mbi fshat. Banorët për thanë se kompania kishte vendosur mjete shpërthyese dhe druanin se shpërthimet mund të shkaktojnë dëme materiale të objekteve.
Prej më shumë se një dekade ka pasur përpjekje për të vënë në funksion këtë gurore, por kjo u pengua pas kundërshtimeve të forta nga banorët.