Dyshime për trajtim çnjerëzor, bastisje në gjashtë lokacione që lidhen dy shtëpi të moshuarish në Shkup

Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe Ministria e Brendshme po hetojnë dy institucione private për kujdesin e të moshuarve, pas dyshimeve për trajtim çnjerëzor të përfituesve. Janë kryer bastisje në gjashtë lokacione dhe dy persona janë arrestuar. Në aksion marrin pjesë edhe inspektorë nga disa institucione shtetërore dhe shërbime shëndetësore për të verifikuar gjendjen dhe ligjshmërinë e veprimtarisë, transmeton Portalb.mk.

“Pas marrjes së informacionit për trajtim të mundshëm çnjerëzor të personave të moshuar – përfitues të shërbimeve të kujdesit jashtë-familjar, Prokuroria Themelore Publike Shkup, në koordinim me Ministrinë e Brendshme, Njësinë për Krime Ekonomike dhe Kompjuterike, po ndërmerr veprime për të zbardhur rastin.

Pas mbledhjes së informacionit të mjaftueshëm që konfirmon bazat e dyshimit, dje u kryen bastisje në katër lokacione që lidhen me dy institucione private për mbrojtje sociale të të moshuarve. Sot, po kryhen bastisje në dy lokacione të tjera të lidhura. Deri më tani, dy persona janë privuar nga liria”, thonë nga Prokuroria.

Prokuroria shton se në vendngjarje, përveç përfaqësuesve nga Ministria e Brendshme dhe prokuroria, të pranishëm janë edhe inspektorë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës, si dhe inspektorë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Në aksion janë përfshirë edhe përfaqësues nga Qendrat e Shëndetit Publik, mjekë nga Shërbimi i Mjekësisë Emergjente dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës.