Qyteti i Shkupit e ka lëshuar tërësisht për qarkullim urën “Bellasica” ndërsa ende nuk ka marrë raportin nga testimi i ngarkimit

Nga dje janë lëshuar për qarkullim të gjitha katër korsitë e urës “Bellasica” në Shkup, e cila u përfshi nga zjarri më 12 maj të vitit të kaluar. Edhe pse ura është lëshuar tërësisht për qarkullim, nga Qyteti i Shkupit nuk ka asnjë komunikatë për opinionin dhe informatë për gjendjen e urës dhe çfarë kanë treguar rezultatet e testimit të ngarkimit, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Sipas informatave të këtij mediumi, versioni draft i raportit nga testimi i ngarkimit është i gatshëm, por nuk i është dërguar EMV-së dhe Qytetit të Shkupit, kështu që nuk ka dokument zyrtar në bazë të së cilit është vendosur të lëshohet ura. SDK shkruan se, raporti tregon se, ura është e sigurt, përkatësisht pas testimit të ngarkimit rezultatet janë plotësisht të njëjta si ata të vitit 2005, kur u ndërtua dhe u lëshua në përdorim ura.

Ekspertizën për urën “Bellasica” e ka bërë profesori Mihail Garevski nga instituti privat për ndërtime rezistuese seizmike dhe ndryshime klimatike. Para dhjetë ditëve, ekipi i Garevskit bëri testimin e ngarkimit të urës, me çka u vendosën gjashtë kamionë me peshë të përgjithshme prej 216 tonë. Atëherë, Garevski në profilin e tij në Facebook shkroi se, “beteja për urën “Bellasica” ra, ura nuk ra”.

Raporti që u bë nga Garevski, tregoi se, ura nuk ka dëmtime serioze dhe duhet të bëhet sanim i lehtë.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska pas zjarrit në urë, pati përplasje me dekanin e Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski pasi ai paralajmëroi se, nevojiten hetime serioze dhe se ura do të mbyllet të paktën një vit. Arsovska tha se, Markovski është ekspert i vetëquajtyr i cili me pizhame nga shtëpia, ka dhënë analiza për urën.