Qeveria e miratoi propozimin për shkarkimin e Ljupço Kocevskit

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva njoftoi se, në mbledhjen e sotme Qeveria miratoi propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski nga funksioni prokuror publik. Ajo tha se, me këtë do të vazhdojnë procedurën e cila, për shkak të kufizimeve ligjore, ishte përkohësisht e ndërprerë gjatë periudhës zgjedhore, shkruan Portalb.mk.

“Arsyet për këtë iniciativë janë publikisht të njohura dhe i kemi shpjeguar disa herë si Qeveri, në mënyrë konsekuente, transparente dhe në interes të mbrojtjes së integritetit institucional dhe përgjegjësisë. Qëllimi ynë mbetet i qartë. Forcimi i shtetit të së drejtës dhe sigurimi i funksionimit të pandërprerë të organeve në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Miteva.

Ajo më tej shtoi se, bazuar në nenin 88 paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe pas marrjes së mendimit paraprak nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë Ljupço Kocevskin nga funksioni i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë, për shkak të gabimeve të rënda profesionale gjatë udhëheqjes së Prokurorisë Publike, të cilat kanë çuar në dëmtimin e efikasitetit dhe funksionalitetit të institucionit.

“Shpalosje e paautorizuar e informacioneve dhe të dhënave për çështjet gjyqësore, duke shkelur kështu detyrimin për mbrojtjen e sekretit të procedurës sipas ligjit. Dëmtim të reputacionit të Prokurorisë Publike dhe reputacionit të tij personal. Mosveprim në përputhje me detyrimet e parashikuara në Kushtetutë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën. Si pasojë e shkeljeve të kryera gjatë periudhës së kaluar, funksionaliteti i dëmtuar i Prokurorisë Publike është evident dhe integriteti i saj është dëmtuar seriozisht, në përputhje me nenin 27, paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike, pikërisht prokurori publik është përgjegjës për gjendjet e përgjithshme, për organizimin dhe kryerjen e funksioneve të Prokurorisë Publike”, theksoi ajo.

Zëdhënësja e qeverisë deklaroi se, Kocevski ka shkelur në mënyrë flagrante detyrimin për ta ruajtur dinjitetin e funksionit që ushtron, siç parashikohet në nenin 82 paragrafi 1 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe për këtë shkak,Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë nga funksioni prokurorin publik të Republikës së Maqedonisë, Ljupço Kocevskin.

Kujtojmë se, më 1 gusht të këtij viti, kryeministri deklaroi se me hyrjen në periudhën parazgjedhore, Qeveria është bllokuar nga vazhdimi i procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës.

Më 29 korrik, Parlamenti votoi për interpelancë në lidhje me punën e Ljupço Kocevskit, dhe ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti i tij, por do t’i përkushtohej edhe më shumë punës së tij.

Pas tragjedisë në Koçani, kryeministri Hristijan Mickoski kishte njoftuar për pezullimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit, duke pasur parasysh hetimin e gjerë që po zhvillohet në lidhje me rastin. I pyetur nga gazetarët, kryeprokurori pati deklaruar se për të gjëja më e rëndësishme është që Prokuroria të punojë dhe të merret me tragjedinë që prek të gjithë qytetarët.