Mickoski: Të gjithë të lidhurit me rastin e Koçanit të mbajnë përgjegjësi, nuk jam i kënaqur me punën e Kocevskit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes së  gazetarëve në lidhje me lajmin e fundit të IRL-së,  që përmend përfshirjen e inspektorëve tatimorë në rastin e Koçanit, të cilët nuk ishin përfshirë në aktakuzë, deklaroi se të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi, duke shtuar se me punën e prokurorit Kocevski është i pakënaqur, transmeton Portalb.mk.

“Faleminderit. Sigurisht që rastin është duke e udhëhequr Prokuroria. Prokurori i shtetit, Kocevski – siç e patë edhe ju – gjatë kësaj periudhe kanë qenë rreth dymbëdhjetë prokurorë që kanë punuar në këtë rast. Nëse pyetja është nëse jam i kënaqur me punën e Prokurorisë, përgjigjja ime është: jo, nuk jam i kënaqur. Dhe pikërisht për këtë arsye ne e mbështetëm në Kuvend shkarkimin e Kocevskit. Pse LSDM-ja dhe BDI-ja nuk e mbështetën shkarkimin e Kocevskit – kjo është një çështje tjetër. Pra, kushdo që në çfarëdo mënyre dhe në çfarëdo forme ka çfarëdo lidhje me këtë rast, duhet të dalë para drejtësisë”, tha Mickoski.

Ndryshe, Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftoi sot se pret që deri në fund të javës të vlerësohet aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona dhe u plagosën më shumë se 200.

Njoftimi nga Gjykata Penale vjen pasi prindërit dhe të afërmit e të vrarëve në tragjedi, në “Marshimin për engjëjt” të mbajtur të shtunën, thanë se nëse nuk marrin përgjigje zyrtare për pyetjet e tyre në lidhje me procedurën deri më 3 tetor, do t’i zëvendësojnë marshimet paqësore me bllokada dhe protesta.

Aktakuza për zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” në Koçani u ngrit pothuajse tre muaj pas tragjedisë, më 13 qershor. Janë akuzuar gjithsej 34 individë dhe tre persona juridikë.