Mickoski: Me këtë prokuror nuk mund të priten rezultate në luftën kundër krimit
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tërhiqet nga ideja e zëvendësimit të Prokurorit Publik të Shtetit Ljupço Kocevski. Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas inspektimit të sotëm të aktiviteteve ndërtimore në rrugën Klimeshticë-Ohër, Mickoski tha se institucionet po marrin masa dhe po paraqesin raporte, por është prokuroria ajo që duhet të veprojë në lidhje me rastet e krimit dhe korrupsionit që raportohen, transmeton Portalb.mk.
“Nuk mund të prisni rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit me këtë Prokurori, me këtë prokuror. Mund t’ju rendis ndoshta 100, 200 denoncime që janë paraqitur në Prokurori nga institucionet, dhe atje nuk ka asnjë rezultat. Institucionet po raportojnë, por është e kotë me këta prokurorë. Me këtë prokuror, është e vështirë”, tha Mickoski kur u pyet nëse po bëhet diçka në lidhje me mospërputhjet që vërehen çdo ditë në raportet e Entit Shtetëror për Revizion mbi funksionimin e institucioneve publike.
Më 1 gusht të këtij viti, kryeministri deklaroi se me hyrjen në periudhën parazgjedhore, Qeveria është bllokuar nga vazhdimi i procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës.
Më 29 korrik, Parlamenti votoi për interpelancë në lidhje me punën e Ljupço Kocevskit, dhe ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti i tij, por do t’i përkushtohej edhe më shumë punës së tij.
Pas tragjedisë në Koçani, kryeministri Hristijan Mickoski kishte njoftuar për pezullimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit, duke pasur parasysh hetimin e gjerë që po zhvillohet në lidhje me rastin. I pyetur nga gazetarët, kryeprokurori pati deklaruar se për të gjëja më e rëndësishme është që Prokuroria të punojë dhe të merret me tragjedinë që prek të gjithë qytetarët.