Rënie në mbështetjen për anëtarësim në BE, vetëm 24% e qytetarëve të RMV-së pro ndryshimeve kushtetuese

Në vitin 2023, 60% e popullsisë së Maqedonisë mbështet perspektivat e vendit për anëtarësim në BE, 4% më pak nga viti i kaluar dhe duke shënuar përqindjen më të ulët të mbështetjes deri më tani. Vetëm gjysma e popullsisë së re (18-24 vjeç) mbështet anëtarësimin në BE. Për 20% të popullsisë, anëtarësimi në BE nuk është aspak i rëndësishëm dhe 12% e popullsisë është haptazi euroskeptik, transmeton Portalb.mk.

Rezultatet këtë vit treguan se megjithëse çështjet dypalëshe mbeten të hapura, qytetarët vazhdojnë ta shohin procesin e negociatave si në përputhje me ligjet dhe standardet e BE-së.

Vetëm 24% e të anketuarve pranojnë ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë pakicën bullgare për të vazhduar procesin e integrimit. Pothuajse dy të tretat ose 65% e të anketuarve besojnë se ndryshimet në Kodin Penal janë miratuar për të mbrojtur elitat politike nga aktet kriminale të së kaluarës.

Pavarësisht rrugës së trazuar drejt tij, Unioni vazhdon të perceptohet si donatori më i madh, partneri ekonomik dhe aleati i shtetit.

Këto janë pjesë e gjetjeve të dy anketave të realizuara nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, të cilat u prezantuan sot në Europe Haus. Të dhënat e përdorura në analiza rrjedhin nga një anketë e opinionit publik të kryer gjatë muajit nëntor 2023 në një kampion prej 1000 të anketuarish.

Fjalë përshëndetëse në këtë manifestim mbajtën kryetari i Institutit për Demokraci, Marko Troshanovski dhe Daniel Brown, drejtor i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup. Fjalën e hapjes e mbajti edhe zëvendësambasadori dhe shef i sektorit ekonomik të Ambasadës së RF të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Otto Graf.

Troshanovski informoi se nga viti 2014 e deri më tani BE-ja ka nivelin më të ulët të mbështetjes, e cila këtë vit është 60%, por se shumica e qytetarëve ende e mbështesin BE-në.

“Një pjesë e madhe e kësaj rënieje është për shkak të përvojës së hidhur të vendit me kriteret që ka për fillimin e negociatave, të cilat jo gjithmonë kanë qenë objektive. Por ajo perspektivë nuk duhet të jetë prioritet, por prioritet duhet të jetë ajo që po bën vendi ynë për t’iu afruar Unionit. Ne duhet të fokusohemi në rrugën drejt BE-së dhe reformave dhe t’i bëjmë ato për hir të tyre. Frustrimi që ndjejmë nuk duhet të jetë argument për të devijuar nga kjo rrugë”, konsideron ai.

Brown theksoi se nuk është i befasuar nga rezultatet, të cilat janë për shkak të vështirësive që ka pasur Maqedonia e Veriut në procesin e integrimeve evropiane në vitet e kaluara.

“Nga njëra anë nuk është çudi që po bie entuziazmi, por nga ana tjetër nuk po rritet numri i atyre që janë euroskeptikë. Kjo do të thotë se qytetarët janë të zhgënjyer. Po flasim për një vend që ka dy dekada kandidat për anëtarësim dhe ka çështje të pazgjidhura me fqinjët. Të gjitha ato gjëra janë të kuptueshme, por vendi ka shumë detyra që duhet t’i kryejë, domethënë duhet progres në procesin e reformës. Të dyja palët duhet të punojnë që Maqedonia e Veriut të afrohet me BE-në, sepse nëse jemi të sinqertë të gjithë duam të njëjtën gjë, që është integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Brown.

Graff theksoi se Maqedonia është shumë e suksesshme në pjesën burokratike të procesit të skriningut, i cili ka përfunduar me sukses.

“Nga ana tjetër, për qytetarët është shumë më e rëndësishme ajo që mund të ndjejnë nga procesi i reformës dhe kjo duhet të jetë prioritet në periudhën e ardhshme”, shtoi ai.

Të dyja analizat u prezantuan nga autorët Ivan Damjanovski, profesor në Fakultetin Juridik Justiniani i Parë në UKM dhe Anamarija Velinovska, hulumtuese në Institutin për Demokraci.

Një pasqyrë të punimeve hulumtuese dhanë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend, Arbër Ademi dhe kryetari i Këshillit Nacional për Integrime Evropiane, Aleksandar Nikollovski.

Mariçiq tha se kushdo që është në politikë duhet të ndihet përgjegjës për 18 vitet e fundit që vendi ka qenë kandidat për anëtarësim dhe se përvjetorët duhet të përdoren për të përmbledhur se ku kemi gabuar dhe çfarë të bëjmë më pas.

“Gjithçka që nuk është ndryshime kushtetuese e kemi bërë deri javën e kaluar, kemi mbaruar skriningun dhe gjithçka që ka qenë proces burokratik do ta dërgojmë në Bruksel. Çështja më e rëndësishme është zgjidhja e problemit në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos kemi një situatë në të cilën edhe 10% më pak besim në BE”, tha ai.

Ademi konsideron se të gjithë politikanët dhe partitë janë përgjegjës për rënien e mbështetjes për procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE.

“Duke u kujdesur më shumë për votat, ne nuk na interesojnë qëllimet strategjike të vendit tonë, kështu rritet populizmi, nacionalizmi dhe euroskepticizmi. Nuk ka alternativë më të mirë se kjo që ofrohet tani”, shtoi ai.

Fakti që të rinjtë janë më euroskeptikët është fakti më shqetësues, sipas Nikollovskit.

“Si ka mundësi që një vend në luftë, Ukraina, i ka nisur negociatat, e Maqedonia nuk i ka nisur negociatat. Përveç çështjes politike, parimi i sundimit të ligjit është shumë më i rëndësishëm sepse mendoj se baza për mosfillimin e negociatave është për shkak të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit dhe parimit të mosndëshkimit”, thotë Nikollovski.

Fjalën përmbyllëse të aktivitetit e mbajti Jose Luis Lozan Garcia, ambasador i Spanjës.

Kujtojmë se një sondazhi të kryer në gjashtë vende anëtare të BE-së përpara samitit të BE-së për të diskutuar zgjerimin, tregoi që evropianët janë të hapur për pranimin e Ukrainës në BE, por janë skeptikë për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Turqisë, sipas një sondazhi.

Edhe evropianët tregojnë një qëndrim të ftohtë ndaj pritjes së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e tyre në BE është më pak se 30%.