Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dërgoi në Kuvend propozimin për ndryshimet kushtetuese

Në seancën e 171-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i miratoi propozimet për ndryshimet kushtetuese, si një kusht për zhbllokimin e procesit për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

“U shqyrtua dhe miratoi teksti i Propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës  së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendosi dokumentin ta dorëzon  në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”, sqarojnë nga  Qeveria.

Qeveria sqaroi që këto propozime janë përgatitur nga ekipi i punës së përbërë nga ekspertët, profesorët universitar dhe përfaqësuesit e partive politike. Në njoftimin e Qeverisë theksohet që ndryshimet janë përgatitur në bazë të Përfundimeve të nxjerra më 16 korrik 2022 në Kuvendin e RMV-së dhe në bazë të Përfundimeve nga Këshilli i BE-së.

Ndryshimet rekomandohen për pjesën e Preambulës ku numërohet kombet, si dhe neni 49 dhe 78. Në Preambulë do të përfshihet edhe populli bullgar, kroat, malazez, slloven, egjiptian dhe hebre.

“I treguam rajonit, Evropës dhe botës se bashkëjetesa e bashkësive te ndryshme në shtet, me shekuj dhe sot, dhe respekti reciprok i traditave dhe kulturave të  ndryshme, është begati dhe përparësi”, deklarojnë nga Qeveria.

Në komunikatën zyrtare theksohet viti 2030 si koha kur pritet të finalizohet sfida e eurointegrimeve.

“Qeveria vlerësoi që para qytetarëve dhe shtetit është mundësi e papërsëritshme për përsëritjen e rrugës evropiane, përshpejtimi i integrimit evropian dhe arritjen e këtij qëllimi deri në vitin 2030”, deklarojnë nga Qeveria.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka përmbyllur skriningun bilateral dhe shpjegues për 4 Klasterë, apo gjithsej 26 Kapituj dhe 3 fusha. Mbetet që deri në nëntor të këtij viti, ta kompletojmë edhe skriningun bilateral për dy Kapitujt e fundit, respektivisht të përfundojnë skrining takimet për 7 kapitujt e mbetur për 2 klasterët e fundit: Resurse, bujqësi dhe kohezion dhe Marrëdhëniet e jashtme.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-ja opozitare vazhdon të bllokojë procesin e ndryshimeve kushtetuese.