Kërcënime për bomba në 34 fluturime në Evropë brenda vetëm një jave

Kërcënimet e rreme për vendosjen e bombave këtë javë penguan të paktën 34 fluturime në Evropë, ndërsa disa avionë u detyruan të bënin ulje emergjente. Po shtohen pyetjet nëse bëhet fjalë për një përpjekje të koordinuar për të shkaktuar kaos te udhëtarët, raporton The Guardian.

Të enjten, të paktën 25 kërcënime për bomba ndikuan në fluturime që lidhnin Italinë, Irlandën, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Finlandën, Austrinë, Danimarkën, Belgjikën, Portugalinë, Francën, Greqinë, Serbinë dhe Çekinë. Kërcënimet kishin të bënin me fluturime të kompanive ajrore Ryanair, Aer Lingus, Wizz Air, Finnair, easyJet, Aegean Airlines, Iberia, Sky Express, Air Serbia dhe LOT Polish Airlines. Të gjithë avionët u ulën në mënyrë të sigurt, ndërsa gjatë kontrolleve nuk u gjet asgjë e dyshimtë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë natës kërcënime morën aeroporti “Heathrow” në Londër dhe aeroporti i Birminghamit. Megjithatë, me ndihmën e hetuesve të specializuar nga njësia policore për aviacion e Policisë Metropolitane, u konstatua se bëhej fjalë për kërcënime të rreme.

Policia Metropolitane njoftoi se ishin bërë kërcënime ndaj katër avionëve që niseshin nga aeroporti “Heathrow” ose uleshin në të. Një zëdhënës i policisë shtoi se, pas vlerësimit të situatës, nuk ishin konstatuar probleme të sigurisë.

Kjo valë kërcënimesh të rreme pasoi incidente të ngjashme të së martës, kur shtatë avionë në Evropë u kontrolluan ose u ridrejtuan për shkak të njoftimeve dashakeqe. Të hënën, një fluturim nga Mbretëria e Bashkuar drejt Bullgarisë u ridrejtua pas një kërcënimi që rezultoi i pabazë.

Hetuesit deklaruan të enjten se ende nuk ka prova që këto kërcënime të rreme janë organizuar nga ndonjë grup terrorist armiqësor apo aktor shtetëror, si Rusia ose Irani, megjithëse hetimet për incidentet në Evropë vazhdojnë.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) i dënoi këto pengesa dhe u bëri thirrje autoriteteve kompetente të zbulojnë burimin e kërcënimeve. “Siguria është prioriteti numër një për industrinë dhe ne i marrim seriozisht të gjitha kërcënimet”, deklaroi Nick Careen, nënkryetar i lartë i IATA-s për operacionet, sigurinë dhe mbrojtjen.

Komisari Evropian për Transport, Apostolos Tzitzikostas, deklaroi se është ende herët të thuhet nëse incidentet janë të ndërlidhura, por theksoi se çdo kërcënim ndaj civilëve është i papranueshëm.

Sipas burimeve nga kompania “Aeroporti di Roma”, e cila menaxhon dy aeroportet e Romës, si dhe sipas një teksti të siguruar nga agjencia “France Presse”, kërcënimet për vendosjen e bombave, të dërguara përmes postës elektronike në aeroportet e Romës dhe Sofjes, ishin nënshkruar nga “luftëtarët e Shtetit Mashkullor”.

“Shteti Mashkullor” është një lëvizje ruse e ekstremit të djathtë, ultranacionaliste dhe mizogjene, e themeluar në vitin 2016 nga Vladislav Pozdnyakov. Në kanalin e tij në “Telegram”, Pozdnyakov, një mbështetës i njohur i luftës në Ukrainë, nuk i komentoi kërcënimet dhe as nuk mori përgjegjësinë për to.

Në mesazhet, thuhet se shkruhej: “Ne, luftëtarët e ‘Shtetit Mashkullor’, sot me veprimet tona do të shkruajmë historinë. Regjimi juaj feminist do ta kujtojë këtë përgjithmonë. Shpërthimi do të ndodhë pas 60 minutash. Sot, qielli juaj do të bëhet i kuq”.

Një zëdhënës i aeroportit në Cork konfirmoi për gazetën “The Guardian” se të enjten në mëngjes ishte marrë një kërcënim anonim përmes telefonit, gjë që kishte shkaktuar vonimin e një fluturimi. Dyshohet se bëhej fjalë për një fluturim të kompanisë “Ryanair” nga aeroporti “Stansted” i Londrës.

Një tjetër fluturim i “Ryanair”, nga Peskara në Itali drejt Bruksel-Charleroi, iu nënshtrua kontrollit pasi në muret e tualetit të avionit u gjet e shkruar fjala “bombë”.

Sipas të dhënave të Organizatës Evropiane për Sigurinë e Lundrimit Ajror “Eurocontrol”, këto incidente shkaktuan pengesa shtesë në qarkullimin ajror, por megjithatë përbënin një pjesë të papërfillshme të gjithsej 27.400 fluturimeve të planifikuara në Evropë të enjten.

Sipas raportimeve të mediave franceze, piloti i një avioni të “Aer Lingus”, që fluturonte nga Dublini drejt Romës dhe më pas u ridrejtua për në Evreux të Francës, u mor në pyetje nga autoritetet franceze, pasi fillimisht kishte refuzuar të ulej në një bazë ushtarake.