Pushim falas në Greqi për turistët që u larguan nga Rodosi për shkak të zjarreve në pyje vitin e kaluar

Nëntë muaj pasi zjarret shkatërruan Rodosin, Greqia po fillon pushimet e para “falas” për mijëra turistë që u detyruan të largoheshin nga ishulli vitin e kaluar, raporton The Guardian.

Me vendimin, të cilin autoritetet greke të turizmit e quajnë të parin në botë, nga kjo javë, deri në 25 mijë turistë do të kenë të drejtën e dëmshpërblimit.

Sipas programit, njerëzit që qëndruan në hotelet që u evakuuan për shkak të zjarreve në korrik 2023, mund të marrin e-vauçerë me vlerë deri në 500 euro për të mbuluar kostot e akomodimit për një qëndrim njëjavor. Nisma do të zhvillohet në dy faza – nga kjo javë deri më 31 maj dhe nga 1 tetori deri më 15 nëntor.

Autoritetet greke informuan për Guardian se deri më tani në regjistrin e përfituesve të programit janë regjistruar më shumë se 5 mijë turistë.

“Kushdo që ka qëndruar në zonat e prekura nga zjarri ka të drejtë. Përgjigja ishte shumë e mirë dhe na thuhet se do të jetë edhe më e fortë në vjeshtë”, tha Yanis Papavasiliou, i cili kryeson Unionin e Hotelierëve të Rodos.

Sipas tij, kompensimi do të jetë në masën që klientët fillimisht ua kanë paguar operatorëve turistikë dhe do të variojë nga 300 deri në 500 euro. Programi vlen vetëm për hotelet, jo për akomodimet private si Airbnb.

“Në fund të ditës, Greqia po mban premtimin e saj për të kompensuar të gjithë ata që humbën pushimet për shkak të ndryshimeve klimatike”, tha Papavasiliou.

Gjatë një vizite në Rodos të hënën, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se zjarret në pyje do të rriteshin në mënyrë të pashmangshme si rezultat i emergjencës klimatike.

“I gjithë Mesdheu është një vatër e ndryshimeve klimatike. Kjo, statistikisht, do të thotë se do të kemi më shumë zjarre dhe ndoshta më shumë përmbytje”, tha ai në një konferencë të organizuar në Rodos nga Komisioni Evropian i Udhëtimit, me titull “Turizmi i BE-së: Rezistenca në epokën e krizës klimatike”.

Sipas tij, më i rëndësishmi ishte faktori njerëzor dhe kryeministri grek theksoi se vendi është krenar për faktin që kriza përfundoi pa humbje jetësh.