Trump e shpalli Zyrën Ovale monument kombëtar për t’i penguar presidentët e ardhshëm ta ndryshojnë
Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, për të cilin thotë se do t’ua ndalojë presidentëve të ardhshëm të bëjnë ndryshime në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, të cilën ai e ka rinovuar. Me këtë urdhër, zyra zyrtare e presidentit shpallet monument kombëtar, transmeton Portalb.mk.
“Po e bëjmë monument kombëtar dhe nuk do të lejohet që askush ta prekë, ta shkatërrojë apo ta rrënojë për të ndërtuar diçka në një formë paksa të ndryshme”, deklaroi Trump.
Nuk është e qartë nëse ky urdhër mund të shfuqizohet nga një president i ardhshëm ose përmes një kontesti ligjor.
Presidentët amerikanë aktualisht kanë kompetenca për të bërë disa ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, por projektet e mëdha kërkojnë miratimin e Kongresit.
“Na pëlqen Zyra Ovale, ajo është simbol, ashtu si edhe vetë Shtëpia e Bardhë. Ajo është simbol i vendit tonë dhe i madhështisë së vendit tonë”, tha Trump, duke shtuar se liderët botërorë që e kanë vizituar gjatë muajve të fundit i kanë lavdëruar ndryshimet dekorative që ai ka bërë në këtë hapësirë.
Trump tha se Shtëpia e Bardhë dhe Zyra Ovale kishin nevojë për riparime para ndërhyrjeve të tij, duke e përshkruar zyrën si shumë të dëmtuar. Megjithatë, shumë nga ndryshimet e dukshme ishin kryesisht kozmetike, përfshirë një pllakë të madhe të artë me mbishkrimin “Zyra Ovale”.