Punësimet përmes ‘Xhob 2011’ në Tetovë ende pa epilog nga KSHPK-ja, zvarritet lënda
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) edhe pesë muaj pas hapjes së lëndës ende nuk ka sjellë vendim për punësimet ‘sekrete’ prej 1,6 milionë euro të Komunës së Tetovës dhe ndërmarrjeve publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” për periudhën 2021-2025, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në muajin gusht 2025, KSHPK-ja pas raportimit të Portalb.mk për këtë rast hapi lëndë, nga ky institucion nuk kanë sjellë ende vendim.
Nga KSHPK thonë se ende po vijojnë ‘hetimet’.
“Procedurat për këtë lëndë janë në zhvillim. Pas konstatimit të gjendjes faktike në rastin konkret, do të merret vendim në seancë publike të KSHPK-së”, thanë nga Antikorrupsioni, duke mos treguar afat konkret.
Portalb.mk muajin gusht 2025 zbuloi se nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.
Ndonëse disa lista me emra qarkulluan në media, emrat e të punësuarve në Komunën e Tetovës dhe ndërmarrjet publike përmes agjencionit privat ‘Xhob 2011,’ asnjëherë nuk u publikuan nga vetë institucionet, pavarësisht se të njëjtët paguhen me paratë e qytetarëve.
Pavarësisht zotimeve për transparencë, Komuna e Tetovës dhe Tetova Transport nuk ia kanë dërguar redaksisë së Portalb.mk listat me emrat, pas së cilës jemi ankuar në Agjencinë për mbrojtje të qasjes së lirë në informata me karakter publik. Listën e dërgoi vetëm NPK ‘Sharri‘.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në të kaluarën ka alarmuar se me punësimet e përkohshme bëhen manipulime.
Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.
- LEXO: Antikorrupsioni ende pa vendim për punësimet ‘sekrete’ prej 1.6 milionë euro të Komunës së Tetovës përmes ‘Xhob 2011’
- LEXO: Komuna e Tetovës vazhdon t’i mbajë sekret të punësuarit përmes agjencionit privat për të cilët harxhoi mbi 1,6 milionë euro
- LEXO: Tender i ri për punësime të përkohshme në Tetovë, emrat mbeten ‘sekret’, Kasami: Nuk mund t’i publikojmë (Video)
- LEXO: 1.6 milionë euro për punësime misterioze përmes agjencisë private në Tetovë: Komuna dhe ndërmarrjet publike fshehin ku shkuan paratë e qytetarëve