Pse (nuk) është VLEN parti e vetme? BDI nxjerr dokument, VLEN: Procedurat janë drejt fundit
Përplasjet politike kanë vijuar edhe sot në bllokun e partive shqiptare. BDI-ja opozitare e ka akuzuar VLEN-in nga pushteti se i gënjen qytetarët se janë si parti, ndërsa partitë përbërëse të saj ende funksionojnë si subjekte t veçanta. VLEN arsyetohet se janë në fazën përmbyllëse të procedurave juridike, transmeton Portalb.mk.
Duke publikuar dokument nga Regjistri Qendror të datës 17 gusht BDI thotë se VLEN-i para qytetarëve paraqiten si një subjekt i bashkuar, por dokumenti dëshmon se Lëvizja BESA vazhdon të figurojë si parti aktive, me Bilall Kasamin kryetar.
BDI thotë se VLE ekziston si emër për propagandë dhe se partitë, kryetarët, vulat dhe interesat personale vazhdojnë veç e veç.
“S’Vlen-i është një strukturë e inxhinieruar për ta copëzuar votën shqiptare, për ta ulur peshën e saj politike dhe për t’ua dorëzuar vendimmarrjen qendrave të tjera të interesit. Mjegulla rreth organizimit, financimit dhe sponsorëve politikë të këtij projekti vetëm i shton dyshimet për qëllimin e vërtetë të tij. Një mashtrim politik, i paketuar si bashkim. Një grup interesash personale, i shitur si kauzë kombëtare”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i VLEN-it, njëherit zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani thotë se VLEN funksionon si parti e vetme, ndërsa se janë në fazën përmbyllëse të procedurave juridike, të cilat sipas tij, shumë shpejt do të çojnë deri në regjistrimin zyrtar të partisë në regjistër Qendror.
“Jemi duke punuar edhe për një seli të përbashkët, sepse nëse e shihni tani punën tonë po e zhvillojmë në disa objekte. Jemi në fazat përfundimtare, është duke u punuar në këtë drejtim. Nuk ka dyshime që VLEN-i tashmë është një subjekt politik, ashtu po funksionojmë, funksionimin e kemi si një subjekt, mirëpo janë disa procedura më shumë teknike të cilat ende nuk kemi arritur t’i përfundojmë dhe janë në përfundim e sipër”, tha Sulejmani.
VLEN u formua si koalicion i partive opozitare shqiptare në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, duke bashkuar Lëvozjen Besa, Lëvizjen Demokratike, Alternativën, dhe njërin krah të Aleancës për Shqiptarët. Pas zgjedhjeve, koalicioni nisi procesin e bashkimit politik dhe në maj 2026 pesë subjektet përbërëse u shkrinë në një subjekt të vetëm politik me emrin VLEN.
Ndërkaq, nga hulumtimi i fundit i BIRN shihet se partitë politike të cilat e përbëjnë koalicionin VLEN kanë arkëtuar para si subjekte të veçanta nga mjetet buxhetore të destinuara për financim të rregullt të partive politike nga Buxheti i shtetit në vitin 2026.: