Filloi regjistrimi i fëmijëve në çerdhen e re në Komunën e Tearcës, në shtator pritet t’i hapë dyert
Pas shumë zvarritjeve të procedurave dhe vonesave me vite, çerdhja e re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës po bëhet gati t’i hapë dyert për fëmijët gjatë muajit shtator, raporton Portalb.mk.
Nga Çerdhja “Foleja” njoftuan se paraqitja për regjistrimin e fëmijëve për vitin 2026/2027 do të fillojë nga nesër (19.08.2026).
Paraqitja do të realizohet në hapësirat e IKPÇF “Foleja“ fshati Përshefcë, çdo ditë pune, nga ora 10:00 deri në 13:00.
Të dhënat e nevojshme për paraqitje janë: emri dhe mbiemri i fëmijës, data e lindjes së fëmijës; emri dhe mbiemri i prindit/prindërve, adresa e banimit, numri i kontaktit.
“Pranimi dhe regjistrimi i fëmijëve do të bëhet deri në plotësimin e kapacitetit të përcaktuar në bazë të vendimit të Ministrisë. Për çdo informacion shtesë lidhur me regjistrimin dhe pranimin e fëmijëve, prindërit do të njoftohen me kohë”, informuan nga çerdhja.
Pas dy përgjigjeve negative, Ministria e Financave javë më parë ka dhënë pëlqim për punësimet që për shkak të mosrealizimit të tyre pamundësohej hapja e çerdhes së re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës. Ndërsa ditë më parë u publikuan edhe konkurset për punësimet në çerdhe, ndërsa e njëjta pritet të hapet gjatë muajit shtator.
Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore si nga administrata e kaluar komunale ashtu edhe ajo aktuale, çerdhja nuk i ka hapur ende dyert për fëmijët.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.