Agjencia e Veterinarisë: Qytetarët të mos krijojnë panik nëse shohin shpezë të ngordhura

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) apelon te publiku që të mos krijohet shqetësim i panevojshëm në rast të shfaqjes së një shpezëve të ngordhura në zonat urbane, përfshirë edhe korbat dhe shpendët e tjerë të egër shtegtarë, transmeton Portalb.mk.

“Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet rastit kur vërehet një numër më i madh korbash të ngordhur ose shpendësh të tjerë të egër shtegtarë në të njëjtën zonë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore. Qytetarët që do të vërejnë një dukuri të tillë të pazakontë ftohen ta njoftojnë shërbimin kompetent dhe të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë, prekjen ose zhvendosjen e shpendëve të ngordhur“, njoftoi AUV.

Agjencia thotë se në mënyrë të vazhdueshme e monitoron gjendjen dhe, në përputhje me vlerësimin e rrezikut, ndërmerr masat e nevojshme për mbikëqyrje, marrjen e mostrave dhe ekzaminimin laboratorik.

Ky njoftim vjen pasi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, u bëri thirrje qytetarëve ta njoftojnë AUV-në nëse gjejnë shpend të egër të ngordhur, veçanërisht korb, pasi, siç tha ai, ata mund të jenë bartës të virusit të Etheve të Nilit Perëndimor.

Deri më sot, në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar mbi 35 raste të Etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa 4 persona kanë ndërruar jetë nga kjo sëmundje.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.