Koalicioni VLEN u bashkua në një parti

Koalicioni VLEN sot mbajti Kongresin në Shkup, ku në prezencë të 850 delegatëve u bashkua në një subjekt politik. Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij gjatë Kongresit të parë të partisë, tha se VLEN-i nuk është vetëm bashkim partish, por një tjetër kulturë e politikbërjes, transmeton Portalb.mk.

“VLEN nuk duhet të jetë thjesht bashkim partish. Nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë. VLEN duhet të bëhet kulturë tjetër politike shqiptare. Më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Ne nuk kemi nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Prandaj është e rëndësishme të themi edhe se çfarë përfaqësojmë. Ne jemi parti e qendrës së djathtë. Dhe këtë nuk e themi si diçka që tingëllon mirë në letër. E themi sepse besojmë në disa vlera shumë të qarta”, tha Kasami.

Ai theksoi se shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat.

“Për herë të parë pesë subjekte politike dhe disa organizata po bëhen bashkë në një strukturë, në një trup, në një vizion për të përfaqësuar shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi. Një përfaqësim që do të jetë më ndryshe, një përfaqësim që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe për të ndërruar perceptim për politikën sepse politika është t’ju ndihmojë qytetarë dhe jo të zhvatë jetën dhe të rëndojë jetën e tyre”, theksoi ai.

Bashkëkryetari tjetër i VLEN-it, Izet Mexhiti tha se ka momente në histori kur politika pushon së qeni garë dhe kthehet në domosdoshmëri. Sipas tij, janë këto momente kur koha kërkon jo vetëm ndryshim, por bashkim. Jo shumë zëra, por një zë që e di ku shkon dhe pse shkon.

“Në ato çaste lind nevoja për një drejtim të ri. Për një rrugë që nuk kalon nga frika, por nga një vullnet i pathyeshëm për ta çliruar vendin nga politika sunduese dhe përçarëse.
Dhe, VLEN-i lindi pikërisht në një kohë të tillë. Lindi nga një thirrje që nuk vinte nga nëntavolinat e parapolitikës, por nga rrugët, nga shtëpitë, nga heshtja e gjatë e qytetarëve që prisnin më shumë. Sepse kishte ardhur një pikë kur heshtja e qytetarëve ishte bërë më e rëndë se zhurma e politikës”, tha Mexhiti.

Sipas tij, forca të ndryshme u bashkuan, me histori të ndryshme e me përvoja që shpesh kishin ecur në drejtime të kundërta.

“Kemi diskutuar shumë shtruar me argumente pro dhe kundër në fund bashkërisht kemi ardhur në përfundim se modeli më i qëlluar për VLEN-in është me bashkë kryetarë. Kështu që nuk është model i imponuar por është model i absolvuar i zgjedhur nga gjithë anëtarësia e të gjitha subjekteve brenda VLEN-it”, tha Mexhiti.

Në kongres ishte mysafir edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij tha se, ky Konges ka një simbolikë të vetme pikërisht se mbahet më 9 maj, në ditën e Evropës.

“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje, copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Kjo përveç dëshmon përgjegjësinë politike përbën një model të ri bashkëpunimi për organizmin politike që veprojnë në rajon”, tha Kurti.

Kujtojmë se Koalicioni VLEN u krijua para zgjedhje të kaluara presidenciale dhe parlamentare, me bashkimin e partive atëherë opozitare në një bllok politik. Me shkrirjen e partive të koalicionit në një parti, VLEN tash e tutje do të funksionojë me dy kryetar dhe organe të tjera partiake.