Protesta, premtime dhe pezullime: Saga e punësimeve në Spitalin e Tetovës vazhdon edhe pas zgjedhjeve
Edhe pse zgjedhjet lokale përfunduan zyrtarisht, konkursi i punësimeve në Spitalin e Tetovës vazhdon të mbahet pezull, shkruan Portalb.mk.
Procedurat për vijimin e konkursit të punësimeve në Spitalin e Tetovës nuk kanë rifilluar edhe pasi zgjedhjet lokale përfunduan zyrtarisht sipas KSHZ-së më 11 nëntor.
Nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk thanë se “pas përmbushjes së procedurave ligjore që lidhen me ciklin zgjedhor, drejtori i spitalit të Tetovës do të përgatisë një listë renditjeje, pas së cilës do të marrë vendim për punësimin e kandidatëve”.
Megjithatë, drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi për Portalb.mk tha se ende nuk ka marrë njoftim për përfundimin e zgjedhjeve.
“Ende nuk kemi letër zyrtare nga Komisioni Zgjedhor që janë mbyllur zgjedhjet. Momentin sa të më vijë, pas asaj brenda 3-4 ditëve e kryej konkursin”, tha Elezi.
Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës më më 24 korrik e hapi konkursin për pranimin e personelit mjekësor.
Megjithatë konkursi u anulua disa javë më vonë në gusht për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale.
Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune.
Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit.
Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por kjo nuk u bë.
Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.
- LEXO: Azir Aliu nuk e mbajti fjalën, u pezullua procedura e punësimeve në Spitalin e Tetovës për shkak të zgjedhjeve
- LEXO: Spitali i Tetovës e hapi konkursin për punësimin e personelit mjekësor, nuk ka garanci se do të pranohen të gjithë punonjësit me kontrata në vepër
- LEXO: Azir Aliu pretendon se problemi është zgjidhur derisa punonjësit e Spitalit të Tetovës ende nuk kanë kontrata të përhershme
- LEXO: Fondi dha mendim negativ për punësimet në Spitalin e Tetovës, por Azir Aliu thotë se kontratat do nënshkruhen brenda 2-3 ditëve