Pas presionit të qytetarëve, Komuna e Tetovës vendosi ta largojë barakën pranë Xhamisë së Pashës
Pas ankesave të qytetarëve dhe aktivistëve, Komuna e Tetovës ka vendosur që ta largojë barakën e cila u vendos dje përballë Xhamisë së Pashës dhe që do të shërbente si infoqendër, shkruan Portalb.mk.
“Me kërkesë të banorëve, infoqendra do të largohet nga hapsira te Xhamia e Pashës”, informoi Komuna e Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës nuk kanë sqaruar se nëse kjo infoqendër do të vendoset diku tjetër.
Ky vendim vjen pasi kjo barakë u vendos dje ku qytetarët dhe shoqatat reaguan duke thënë se e njëjta është pa standarde dhe ndikon në shëmtimin e parkut dhe xhamisë.
Shoqata qytetare Më Mirë për Tetovën vendosjen e barakës e konsideroi si shëmti dhe poshtërim i vlerës së objektit kulturor-fetar të Xhamisë së Pashës.
Ata madje akuzuan kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, i cili para zgjedhjeve u ka thënë se nuk do të vendoset barakë aty.
“Kemi pranuar përgjigje me shkrim nga Kryetari i Komunës, z. Bilall Kasami, i cili ka siguruar se në atë lokacion nuk planifikohet të vendoset barakë. Por sot qytetarët e Tetovës janë dëshmitarë që ai dje neve të gjithëve na gënjeu dhe pikërisht në Parkun e Xhamisë së Larme u vendos baraka. Është e papranueshme që Kryetari i posa zgjedhur i Komunës, i cili ka për detyrë të mbrojë interesat e qytetarëve, të lejojë shëmtimin e pamjes së Xhamisë së Pashës, me një objekt për përfitime të vogla financiare”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.
Shqetësime ngritën edhe nga Organizata për Kulturë dhe Mbrojtje dhe Konservim të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore “HUTA”, që sipas tyre kjo barakë e dëmton dhe shëmton pamjen estetike të xhamisë historike.
“Ne i drejtojmë pyetje Komunës së Tetovës dhe BFI–Myftinia e Tetovës: Pse gjatë kohës së zgjedhjeve u betonizua parku pranë Xhamisë së Pashës dhe u vendosën ulëse të vjetra, ndërsa pas zgjedhjeve u vendos një kiosk? A është marrë mendim paraprak nga Ministria e Kulturës për një veprim të tillë? Kërkojmë nga Komuna e Tetovës që të ndërmarrë masa për dislokimin e këtij kiosku në një vend më të përshtatshëm, ku nuk do të cenohej pamja dhe karakteri historik i Xhamisë së Pashës”, thanë nga HUTA.

Si filloi gjithçka?
Më 29 shtator 2025, aktivistët nga Më Mirë për Tetovën alarmuan se në parkun pranë Xhamisë së Pashës vendosen pllaka dhe ndërhyrje që rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e saj, që shkatërrojnë parkun dhe hapësirën e vogël publike që u shërben qytetarëve.
Disa ditë më vonë, më 6 tetor 2025, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke iu përgjigjur në kërkesën e MMPT, tha se në këtë hapësirë do të vendosen pajisje urbane. Ku më pas aty u vendosën disa ulëse. Në letrën e Kasamit nuk thuhej se aty do të vendoset barakë si infoqendër.
Për më tepër, në letrën e Kasamit thuhet se investitor është Bashkësia Fetare Islame, e cila është bartëse e lejes. Megjithatë, sipas të thënave nga kadastra, hapsira ku është vendosur baraka është pronë e shtetit dhe jo e BFI-së.
Ndryshe, Xhamia e Pashës u ndërtua në vitin 1495 dhe paraqet një nga monumentet historike më të rëndësishme në vend.