RMV, komisioni zbuloi 10 operacione të panevojshme në zemër ose pacientë të udhëzuar gabimisht, thonë se nuk është etike t’i përmendin spitalet

Komisioni i brendshëm për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 19 raportet e analizuara nga pacientët dhe institucionet për raste të dyshuara të ndërhyrjeve të panevojshme në zemër në institucionet publike dhe private të kujdesit shëndetësor, përcaktoi se 10 ishin operacione të kryera pa nevojë ose të referuara pa nevojë për operacione, informoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu sot në një konferencë për media, transmeton Portalb.mk.

“Që nga dita e parë udhëhiqemi nga parimi i transparencës dhe llogaridhënies, dhe pikërisht për këtë arsye gjatë periudhës së kaluar ndërmorëm disa masa për analizimin dhe vlerësimin e gjendjes, në mënyrë që sot para jush të dalim me rezultatet e para nga puna e komisionit. Komisioni ka ofruar rezultate objektive, të bazuara në një proces profesional, shkencor dhe të pavarur. Nga 25 rastet e dorëzuara, komisioni konstatoi se 6 prej tyre duhet t’i dërgohen Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pasi komisioni nuk është kompetent për to. Janë analizuar 19 raste, dhe në 10 prej tyre është konstatuar se operacionet janë kryer pa nevojë ose pacientët janë referuar për operacion pa indikacione të mjaftueshme”, theksoi ministri Aliu.

Për gjashtë raporte shtesë, Komisioni përcaktoi se ato duhet t’i dërgohen Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSh), sepse nuk është kompetent.

Kryetari i Komisionit, Zharko Hristovski, tha se në këtë fazë fillestare ata analizuan vetëm nevojën për revaskularizim, pra pacientët që kanë sëmundje vaskulare, dhe të gjithë pacientët e tjerë do të analizohen pas raportimit ose gjatë fazës tjetër të punës së tyre.

Kjo është vetëm një analizë fillestare, shtoi ai, dhe veprime të mëtejshme do të ndërmerren së bashku me një komision ndërkombëtar për analiza shtesë të rasteve me indikacione problematike.

Në fazën e dytë, siç informuan anëtarët e komisionit, do të ketë një hyrje në institucione me një lloj strategjie të rastësishme, dhe do të bëhet një analizë e strategjisë së trajtimit për pacientët me probleme kardiologjike dhe një pasqyrë e plotë e dokumentacionit mjekësor.

“Kur të përfundojmë analizën e detajuar, do të dalim me një raport profesional, pra një pasqyrë të plotë të secilit rast individual”, theksoi Hristovski.

Përfaqësuesit e komisionit nuk donin të thoshin në këtë fazë nëse operacionet në të vërtetë rrezikuan jetën e pacientëve, as sa kushtuan këto ndërhyrje të shtrenjta dhe në cilat spitale u kryen.

“Bëhet fjalë për jetë njerëzore dhe jo vetëm për burime financiare”, tha Hristovski, i cili sqaroi se ata punuan vetëm mbi raportet e pacientëve. Ai tha se ende kanë shumë për të punuar në këto raste, dhe pastaj t’i referohen një studimi të rastësishëm, i cili do të mbulonte shumicën e rasteve. Ai sqaroi se këto raste janë trajtuar në të gjitha spitalet në Maqedoni që merren me ndërhyrje kardiovaskulare, dhe nëse do të dilnin me emrat e spitaleve në këtë fazë, kjo nuk do të ishte “as etike dhe as ligjore”.

Kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj.