Protesta e pensionistëve, MPPS paralajmëroi pako të masave për mbështetje të pensionistëve (Video)

Mëngjesin e sotëm hyrja kryesore për në Tetovë te Monopolli u bllokua pasi pensionistët vazhduan protestat për rritje të pensioneve. Ata ritheksuan kërkesën kryesore të tyre: Rritje lineare prej 5 mijë denarësh dhe pensioni minimal të jetë 20 mijë denarë. Pensionistët akuzuan pushtetin se nuk përfill kërkesat e tyre, ndërkaq kërkuan edhe dorëheqjen e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevskës, si dhe akuzuan ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshin për rritjen e çmimeve, shkruan Portalb.mk.

Për 30 minuta që pensionistët protestuan, në qytet u krijua kaos në trafik. Protestuesit vijuan me thirrjet për rritje të pensioneve dhe thirrje që më shumë qytetarë të ju bashkëngjiten në këto kërkesa.

“Ne duhet me i çelë sytë, ne jemi që vendos, populli vendos jo vetëm qeveritarët. Ku janë njerëzit? Duhet të vijnë këtu, nuk jemi vetëm ne që marrim pak pensione po të gjithë këtu që janë, duhet të na ndihmojnë njerëzit, qeveritarët rijnë, ne rijmë, atëherë nuk i kanë ata fajet por i kemi ne, populli duhet të vetëdijesohet vetë”, tha një pensionist.

“Ne jemi në zor, duam ndihmë prej t gjithë qytetarëve, pensionistët janë pjesa e kësaj shoqërie, na ndihmoni, bashkojuni protestave, pushteti po na neglizhon, po na poshtëron, nuk po na i rritë pensionet si i duam ne, ata po i mbushin xhepat e tyre me nga 78 përqind a neve po na poshtërojnë”, theksoi një pensionist.

Pensionistët bllokuan hyrjen në Tetovë, vazhdojnë protestat për rritje të pensioneve (12.10.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Pensionistët bllokuan hyrjen në Tetovë, vazhdojnë protestat për rritje të pensioneve (12.10.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Nuk jam e kënaqur (me pensionin), jo, jo, shumë shtrenjtë është, nuk mund njeriu të hajë asgjë”, tha një pensioniste.

“Do të protestojmë edhe në vazhdim, nuk do të dorëzohemi nga kërkesat tona. Protestat tona do të jenë edhe në nivel ndërkombëtar, do të drejtohemi te të gjitha institucionet ndërkombëtare, te Bashkimi Evropian, Ambasada Amerikane, pasi këta këtu, qeveria jonë nuk na dëgjon , duhet të shkojmë më tej dhe të kërkojmë ndihmë nga institucionet e tjera ndërkombëtare për të ditur se çfarë pensionistësh ka vendi ynë”, theksoi një pensioniste tjetër.

Pensionistët bllokuan hyrjen në Tetovë, vazhdojnë protestat për rritje të pensioneve (12.10.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Pensionistët bllokuan hyrjen në Tetovë, vazhdojnë protestat për rritje të pensioneve (12.10.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Kërkojmë rritje lineare prej 5 mijë denarësh dhe pensioni minimal të jetë 20 mijë denarë”, tha një pensioniste.

“Kërkojnë votat tona, asnjëherë më, le ta shohin, nuk jemi analfabetë, na i merrni votat dhe pensionet nuk i përmendni asnjëherë”, tha një pensionist.

Pensionistët bllokuan hyrjen në Tetovë, vazhdojnë protestat për rritje të pensioneve (12.10.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Pensionistët bllokuan hyrjen në Tetovë, vazhdojnë protestat për rritje të pensioneve (12.10.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pensionistët njoftuan se protesta e radhës do të jetë ditën e martë, në po të njëjtin vend dhe kohë.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të pyetur  nga Portalb.mk  nëse kërkesat e protestuesve do të pranohen, thanë se qëndrimi i ministrisë mbetet i pandryshueshëm se, nuk do të ndërmarrim asnjë hap që të do rrezikojë stabilitetin e fondit pensional dhe ardhmërinë e pensionistëve. Por, nga atje, paralajmëruan një pako të masave për kategoritë e rrezikuara.

“Me kërkesë të pensionistëve, pas ngritjes së çështjes për nevojën e miratimit të Ligjit për pension minimal, u formua grup punues për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit më të ulët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Grupi punues gjithashtu ka për detyrë të krijojë propozim për pako të masave për ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve. Javën e kaluar grupi punues ka dorëzuar raportin e parë me propozim të masave, i cili u preznatua në seancën e fundit të Qeverisë. Pasi t;i shqyrtojë, Qeveria e RMV-së do të dalë me masa konkrete për mbështetje të kategorive të rrezikuara të pensionistëve”.

Sa i përket çështjes së definimit ligjor të pensionit minimal, grupi punues do të vazhdojë të punojë në gjetjen e një zgjidhje të re ligjore për pension minimal, me ndryshime të ligjit aktual apo ligj të ri të posaçëm, me çka grupi punues duhet të japë draft propozim të parë deri në dhjetor 2023.

Megjithatë, ministrja Jovana Trençevska para dy ditësh theksoi se as ajo dhe asnjë përfaqësues i Qeverisë nuk ka thënë se do të ketë rritje të pensioneve prej 6.8 përqind.

“Deklaratat e mia ishin nga pesë deri në gjashtë, por gjithmonë kam thënë se do të presim të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave sepse është institucioni që jep të dhënat për indeksin e kostos së jetesës dhe indeksin e rritjes së pagës mesatare”, ka deklaruar Trençevska.

Ministrja shpreson se deri në fund të muajit do të ketë masa konkrete që do të mbështesin standardin e jetesës së pensionistëve, veçanërisht atyre me pensione të ulëta.

Pensionistët protestojnë prej në shtator, ndërkaq në Maqedoninë e Veriut  jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.