Shqipëria fitore magjike ndaj Çekisë, Asani dhe dygolëshi i Seferit çon ekipin një hap pranë Gjermanisë

Shqipëria ka fituar me rezultatin 3 me 0 ndaj Çekisë (Grupi E) në stadiumin “Air Albania”, e vlefshme për eliminatoret Euro 2024.  Shqipëria mundi 3-0 Çekinë, duke u afruar akoma më shumë me finalet e Euro 2024, ku duhen vetëm 2 pikë në 2 ndeshjet e fundit për të siguruar kualifikimin. Golat e Asanit e Seferit i shkaktuan humbjen e parë në këto kualifikuese një rivali direkt në grup, shkruan TV Klan.al.

Një ndeshje perfekte e kuqezinjve që arritën rezultatin e pestë pozitiv radhazi nën drejtimin e Sylvinho që po bën të gjithë të ëndërrojnë pjesëmarrjen e dytë në një turne madhor pas atij të 2016.

Çekët e nisën më kërkues takimin, por Berisha nuk i lejoi të shënonin. Jasir Asani në minutën e nëntë bëri që mbi 20 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin Air Albania të shpërthenin në festë së bashku me shumë të tjerë që e ndoqën direkt në Tv Klan.

Mesfushori me tipare e çoi topin aty ku portieri kundërshtar nuk mund ta arrinte. Ritmi i lojës ishte i lartë me raste në të dy portat, ndërsa në minutën e 40’ Çekia mbeti me 10 futbollistë në fushë, pasi Chytil mori të verdhin e dytë për shkak se çoi topin në portë me dorë.

Lojtarët e Kombëtares u kthyen pas pushimit me të njëjtën dëshirë dhe Taulant Seferi realizoi sërish pas një kundërsulmi në të 51’.

Sylvinho freskoi ekipin me zëvendësime. Në të 73’ ishte sërish Seferi, i cili tundi rrjetën duke goditur thuajse që thuajse në të njëjtin pozicion.

Kuqezinjtë nuk qëndruan në mbrotje, duke krijuar aksione. Në të 82’ Arbnor Muja shënoi, por në pozicion jashtë loje me konfrimin e sistemit VAR.

Shqipëria është e para në grup me 13 pikë, me 4 më shumë se Polonia e vendit të dytë dhe 5 nga Çekia e Moldavia.