Trençevska: Nuk kemi paralajmëruar rritje pensionesh prej 6.8 përqind, supozoj se nga cila kuzhinë ka dalë ajo përqindje

As unë dhe asnjë përfaqësues i Qeverisë nuk kemi thënë se do të ketë rritje të pensioneve prej 6.8 përqind. Konsideroj se nga cila kuzhinë kanë dalë 6,8 përqind, tha sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, transmeton Portalb.mk.

“Deklaratat e mia ishin nga pesë deri në gjashtë, por gjithmonë kam thënë se do të presim të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave sepse është institucioni që jep të dhënat për indeksin e kostos së jetesës dhe indeksin e rritjes së pagës mesatare”, tha Trençevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas promovimit të Protokollit për trajtimin e fëmijëve me diabet në shkolla dhe çerdhe, në çerdhen “Rade Jovçevski Korçagin” në Shkup.

E pyetur për të komentuar deklaratat e disa pensionistëve se me rritjen prej 5,3 përqind kanë marrë vetëm 200 deri në 300 denarë, Trençevska tha se këto informata nuk janë të sakta.

“Nuk besoj se dikush ka marrë kaq shumë sepse përqindja 5.3 është sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Nëse pensioni më i ulët ka qenë 12.500 denarë, kur llogaritet 5.3 përqind është diku rreth 800 denarë”, tha ajo.

Trençevska shtoi se nëse ka pensionist që ka marrë rritje prej 200 apo 300 denarë, duhet të raportojë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Ministrja shpreson se deri në fund të muajit do të ketë masa konkrete që do të mbështesin standardin e jetesës së pensionistëve, veçanërisht atyre me pensione të ulëta.

“Sot e kam marrë raportin e grupit punues dhe do ta përcjell në Qeveri. Qeveria do të vendosë se çfarë masash do të marrim. Besoj se deri në fund të muajit do të kemi masa konkrete që do të mbështesin standardin jetësor të pensionistëve, veçanërisht atyre me pensione të ulëta”, shtoi Trençevska.

Vendimi për formimin e grupit punues është marrë në gusht pas takimit të Trençevskës me Lidhjen e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, që pasoi protestën e pensionistëve në Shkup, në të cilën ata i paraqitën kërkesat e tyre, duke përfshirë rritjen lineare prej 3.500 denarë për të gjitha pensionet, si dhe vazhdimi i rregullimit të masës sipas metodologjisë së re të vendosur vitin e kaluar, si dhe përcaktimi i pensionit minimal në masën 80 përqind të pagës minimale.

Qëllimi i krijimit të grupit të punës është të propozojë zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme për sa i përket përcaktimit të masës së pensionit minimal, por edhe për lloje të tjera masash në ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve. Grupi punues përbëhet nga përfaqësues të MPPS-së, Qeverisë dhe Sindikatës së Pensionistëve dhe Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidor.

Pensionistët protestojnë prej në shtator, duke kërkuar rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë, ndërsa pensionin minimal të jetë 45 për qind nga paga mesatare.

“Nivelizim i pensioneve është gjëja e parë që duhet bërë, që pjesa tjetër e pensioneve më pas të përshtatet sipas rritjes së pensionit minimal”,  reaguan pensionistët.

Në Maqedoni jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.