Pronari i “Pulsit” ofroi 200 mijë euro në pasuri të paluajtshme si garanci se nuk do të arratiset pas lirimit nga paraburgimi

Pronari i të ashtuquajturës kabare “Puls” në Koçan, Dejan Jovanov-Deko, ka ofruar 12 milionë denarë ose rreth 200 mijë euro në pasuri të paluajtshme, si garanci se nuk do të arratiset pasi të lirohet nga paraburgimi, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftuan tashmë nga Gjykata Themelore Penale Shkup, zgjatja e fundit e paraburgimit të Dejan Jovanov-Dekos zgjat deri më 3 tetor, pas së cilës ai do të mbrohet në liri, pasi ligji përcakton se masa e paraburgimit mund të zgjasë më së shumti një vit nga vlerësimi i aktakuzës.

Siç ka deklaruar mbrojtësja e tij, avokatja Ivana Kocevska, për “Sloboden Peçat”, në kuadër të garancisë klienti i saj ka ofruar të gjithë pasurinë e paluajtshme që është në emër të tij, ndërsa është shtuar edhe pasuri e një anëtari të familjes së tij.

Sipas saj, garancia është dorëzuar të premten dhe pritet që këtë javë gjykata të vendosë lidhur me të.

“Konsiderojmë se garancia është më se e mjaftueshme për të siguruar praninë e tij, aq më tepër që në këtë procedurë tashmë janë pranuar garanci edhe për persona të tjerë të bashkëakuzuar, ndaj presim zbatim të barabartë të ligjit dhe gjykim të drejtë edhe për Jovanovin”, ka thënë mbrojtësja e Jovanovit.

Se pronari i “Pulsit” është i gatshëm të ofrojë garanci, ajo e kishte paralajmëruar një javë më parë, duke deklaruar për mediat se ky veprim ka për qëllim të bindë si publikun, ashtu edhe gjykatën se ai nuk do të arratiset pas lirimit nga paraburgimi.

Nga Gjykata Penale konfirmojnë se garancia e ofruar nga Jovanovi ka mbërritur në gjykatë dhe se bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme që ai e vendos nën hipotekë.

Propozimi ndërkohë i është dërguar Prokurorisë për mendim, e cila duhet të japë qëndrimin e saj, pas së cilës gjykata duhet të marrë vendimin përfundimtar.

Mbrojtësja e Jovanovit, në një deklaratë për televizionin Telma, ka thënë se, edhe pse një pjesë e pasurisë së tij është ngrirë për shkak të procesit gjyqësor në të cilin ai është i akuzuari i parë, pasuria mund të ofrohet si garanci.

“Lënda është nën presion të madh të opinionit publik dhe pres që brenda një kohe të shkurtër të merret mendimi i Prokurorisë dhe vendimi i gjykatës”, ka thënë Kocevska.

Dejan Jovanov-Deko, i cili është i akuzuari i parë në rastin për zjarrin në të ashtuquajturën kabare, u arrestua menjëherë pas ngjarjes tragjike më 16 mars, ndërsa disa ditë më vonë, përkatësisht më 23 mars, gjykata, me propozim të Prokurorisë, i caktoi masën e paraburgimit.

Nga Gjykata Penale së fundmi sqaruan se, duke pasur parasysh se aktakuza për rastin është vlerësuar më 3 tetor 2025, në përputhje me Ligjin për procedurë penale, paraburgimi i Jovanovit mund të zgjatet më së shumti deri në një vit nga kjo datë, përkatësisht deri më 3 tetor 2026.

Procesi gjyqësor, në të cilin përveç tij janë të akuzuar edhe 33 persona të tjerë dhe tri kompani, ka nisur më 19 nëntor të vitit të kaluar dhe ende është në zhvillim.

Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.