Gjykimi për zjarrin në Koçan: Objekti në vitin 2012 u shndërrua ilegalisht në diskotekë, komuna ishte përgjegjëse për kontrollin

Nga objekt për industri të lehtë, në vitin 2012 objekti u shndërrua ilegalisht në diskotekën “Pulse”. Këtë sot e dëshmoi ekspertja Dushica Trpçevska Angelkoviq, e cila para gjykatës për zjarrin në “Pulse” deklaroi se objekti para 14 vitesh kishte filluar të përdorej si diskotekë ose kabare, në kundërshtim me destinimin e përcaktuar me planin urbanistik dhe ligjet, transmeton Portalb.mk.

Siç raporton Televizioni Tellma, ekspertja tha se pronari mund të kishte iniciuar ndryshimin e Planit Detal Urbanistik (PDU), por nuk e kishte bërë këtë.

“Në vend që të zgjidhte mundësitë ligjore, investitori vendosi të bëjë ndryshim të paligjshëm të destinimit të një pjese të objektit, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e Planit Urbanistik dhe rregullativën që përcakton planifikimin urbanistik dhe ndërtimin”, tha ekspertja Dushica Trpçevska Angelkoviq.

Pyetja thelbësore është se si një objekt që nuk kishte dokumentacion për destinimin përkatës mund të funksiononte për më shumë se një dekadë si kabare dhe diskotekë, deklaroi Aleksandar Naunov, në emër të prindërve të viktimave të zjarrit në diskotekën “Pulse”.

“Për më shumë se një dekadë, kjo nuk është një lëshim. Nuk është një neglizhencë. Nuk është dokument i gabuar. Janë vite gjatë të cilave institucionet kishin detyrimin të vepronin. Prandaj duhet të përcaktohet se kush e dinte, kush nënshkruante, kush kontrollonte dhe kush kishte për detyrë ta parandalonte këtë. Pas çdo nënshkrimi, çdo akti të lëshuar dhe çdo kontrolli të pakryer qëndron përgjegjësia institucionale, e cila duhet të hetohet”, tha Naunov, prind i njërës prej viktimave të “Pulse”.

Në pyetjen e prokurorisë nëse komuna kishte mundësi ta parandalonte ushtrimin e veprimtarisë hotelierike në “Pulse”, ekspertja Trpçevska Angelkoviq u përgjigj se kryetari i komunës është kompetent për lëshimin e të gjitha lejeve, ndërsa komuna është ajo që duhet të kontrollojë se për çfarë përdoret objekti.

“Reagimi i komunës do të bëhej përmes shërbimeve përkatëse. Bëhet fjalë për shërbimet inspektuese, të cilat, në përputhje me nenin 97, paragrafi 3 të Ligjit për Ndërtim, nëse konstatojnë se në ndonjë objekt është bërë ndryshim i paligjshëm i destinimit, në kundërshtim me procedurën për ndryshimin e destinimit të përcaktuar me të njëjtin ligj, kanë të drejtë t’i urdhërojnë pronarit që ta kthejë objektin në gjendjen fillestare”, tha ekspertja.

Sipas ekspertes, pavarësisht faktit se “Pulse” kishte licencë për objekt hotelierik, inspektorati i ndërtimit kishte kompetencë të reagonte nëse ishte bërë ndryshim i paligjshëm i destinimit të objektit.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.

Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.