Gjykimi ndaj 13 policëve të lidhur me “Pulse” nisi nga fillimi, ndryshoi trupi gjykues

Për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, procesi gjyqësor ndaj 13 pjesëtarëve të policisë, të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, të lidhura me tragjedinë në të ashtuquajturën kabare “Pulse” në Koçan, ka nisur nga fillimi, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimi i trupit gjykues, siç informoi Gjykata, erdhi pasi njëri prej anëtarëve të jurisë informoi se për arsye shëndetësore nuk do të mund të marrë pjesë në seancat gjyqësore për më shumë se një muaj, ndërsa anëtari i dytë njoftoi se për shkak të angazhimeve të tjera nuk do të marrë më pjesë si anëtar jurie në proceset gjyqësore.

Gjykimin e drejton gjyqtarja Fanka Jançuleva-Mihajllovska, ndërsa përfaqësuese e akuzës është Spasenka Andonova.

Prokuroria, siç informoi prokurorja publike Andonova, mbetet plotësisht në qëndrimin e saj ndaj aktakuzës.

Të akuzuarit Dejan Saltirovski, Vanço Gjorgjevski, Marija Manevska, Tome Donev, Dragan Petreshev, Kire Bogatinov, Stojançe Filipov, Blagica Miteva, Kristina Nikolova, Mazllum Ramadanov, Darko Milloshevski, Martin Arsovski dhe Marijan Radevski përsëri para Gjykatës u deklaruan në lidhje me kuptimin e aktakuzës dhe thanë se mbeten në qëndrimin e mëparshëm për mospranimin e fajësisë.

Ndërkaq, nga 13 pjesëtarët e policisë të akuzuar, nëntë janë policë, ndërsa katër janë shefa – dy nga NJPB Koçan dhe dy nga SPB Shtip.

Gjykata informoi se po merren të gjitha provat materiale të paraqitura deri më tani dhe se vazhdon marrja në pyetje e dëshmitarëve të Prokurorisë.

Gjykimi lidhet me zjarrin tragjik që shpërtheu më 16 mars në të ashtuquajturën kabare “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 u lënduan.

Sipas pretendimeve në këtë lëndë, më 16 mars të akuzuarit ishin në detyrë, por njëkohësisht ishin të angazhuar edhe në diskotekë. Edhe pse ishin të pranishëm kur shpërtheu zjarri, ata as nuk e ndërprenë festën dhe as nuk e penguan aktivizimin e mjeteve piroteknike.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit ADN, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.

Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.