Prokuroria: Po hetohen shkaqet e zjarrit në Vizbeg, kërkuam masa paraburgimi për dy persona që sulmuan një ekip gazetarësh
Duke vepruar në lidhje me zjarrin e djeshëm në Vizbeg, Prokuroria Themelore Publike në Shkup nisi procedurë urgjente kundër dy personave – një burri dhe një gruaje – për veprën penale Pengim i personit zyrtar në kryerjen e një veprimi zyrtar sipas nenit 382, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“Procedura u nis për shkak se të dy sulmuan fizikisht një ekip – një gazetar dhe një kameraman të TV Alsat M dhe i penguan ata të kryenin detyrat e tyre zyrtare, përkatësisht të raportonin për zjarrin që ndodhi pranë një deponie me hekur të vjetër. Prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, ndërsa për të dyshuarën u propozua një masë arresti shtëpiak, pasi ajo kujdeset për dy fëmijë të mitur të moshës 9 muajsh dhe 3 vjeç”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Masat, siç theksohet në njoftimin e prokurorisë, propozohen me qëllim sigurimin e tyre, duke pasur parasysh se përveç krimit të lartpërmendur, prokuroria vazhdon të hetojë shkaqet e zjarrit të mbeturinave në posedim të të dyshuarve dhe rreziqet e mundshme të shkaktuara për jetën dhe trupin e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Kujtojmë se, dje në Vizbeg- Shkup, në një deponi të egër me hekur të vjetëruar shpërtheu një zjarr i madh, që shqetësoi kryeqytetin me rrethinë, ku mezi shpëtuan edhe disa prona private. Pronari i depos, ku po digjeshin automjete të shkatërruara me pajisje gazi, sulmoi një ekip gazetarësh të cilët po incizonin flakën që kishte nisur të shpërndahet me të madhe.