Sindikata e kontrollorëve të trafikut ajror e anuloi grevën e paralajmëruar
Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë (SKTAM) e anuloi vendimin e shpallur për grevë, e cila duhej të zhvillohej sot. Kryetari i SKTAM-së, Aleksandar Tasevski, tha se kërkesat e sindikatës po ecin përpara, më saktësisht, kërkesa për punësimin e kontrollorëve dhe për zbatimin e një analize funksionale që duhet të përcaktojë se cilat vende pune dhe sa drejtues nevojiten është miratuar, transmeton Portalb.mk.
Pavarësisht kësaj, SKTAM njofton se do ta kundërshtojë konkursin e fundit, për të cilin reaguan në paralajmërimin për grevë. Tasevski tha në një deklaratë për MIA-n se sindikata nuk do të ndalet me kaq dhe do të vazhdojë të kërkojë profesionalizëm, sepse, siç tha ai, ka pasur parregullsi në konkursin e fundit.
SKTAM më parë i dërgoi një njoftim menaxhmentit të M-NAV më 16 qershor, duke kërkuar anulimin e konkursit për punë dhe përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e vitit të kaluar. Ajo Marrëveshje ishte baza për pezullimin e një vendimi të mëparshëm për grevë. Sindikata kërkoi zbatimin e menjëhershëm të pikave të pazgjidhura të Marrëveshjes deri në fund të qershorit, përndryshe do të riaktivizojnë grevën.
Në njoftimin e saj të fundit drejtuar M-NAV, Sindikata vlerësoi se konkursi i fundit për punësime të reja nuk i plotëson nevojat reale, urgjente dhe thelbësore të kompanisë. Ata kërkuan anulimin e konkursit, ndërsa plotësimi i mundshëm pozicioneve të punës të kryhet duke ricaktuar punonjësit ekzistues në M-NAV përmes një njoftimi të brendshëm ose duke shtuar detyra pune tek punonjësit e angazhuar, si dhe riorganizime dhe ricaktim racional të stafit ekzistues.
Sipas M-NAV, me konkurset e planifikuara për punë, do të punësohen persona për të zëvendësuar kolegët që tashmë kanë dalë në pension ose do të ushtrojnë të drejtat e tyre të pensionit në muajt e ardhshëm, ndërrime gjeneratash dhe arsye të tjera. Ata theksojnë se po bëhen përpjekje të mëdha për të stabilizuar kompaninë, e cila ka qenë objekt i një menaxhimi të pavlerë dhe të papërgjegjshëm për vite me radhë.
Bordi i Drejtorëve të M-NAV – Shkup, në koordinim me Qeverinë, ka marrë miratimin nga Ministria e Financave për të punësuar personel të kualifikuar, të specializuar në nevojat e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror gjatë vitit 2025. Është planifikuar të punësohen katër meteorologë-parashikues, një vëzhgues moti dhe një inxhinier kibersigurie.
“Përveç kësaj, për shkak të ngarkesës së shtuar të punës dhe ndërrimeve të planifikuara të gjeneratave në Departamentin Rajonal të Kontrollit të Trafikut Ajror, M-NAV- Shkup do të punësojë dhe trajnojë gjashtë kontrollorë të trafikut ajror në një nga qendrat evropiane të trajnimit, të cilat do të zgjidhen përmes një tenderi”, informon M-NAV. Menaxhmenti i M-NAV thekson rezultatet pozitive nga riorganizimi dhe ndryshimi në qasjen ndaj menaxhimit të burimeve njerëzore. Në gjysmën e parë të vitit, numri i fluturimeve mbi qiellin e RMV është rritur me mbi 12 për qind, me 133,474 fluturime të realizuara, krahasuar me 119,972 fluturime në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke përfshirë fluturimet për në dhe nga Shkupi dhe Ohri.
Kujtojmë se, sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë më 19 qershor i kishte dërguar një letër paralajmëruese Bordit të Drejtorëve të Navigacionit Maqedonas (M-NAV) se më 10 korrik, kontrollorët do të hyjnë në grevë dhe do të mbyllin qiellin nëse vazhdon të punësohet personel i panevojshëm partiak në vend të kontrollorëve të trafikut ajror, inxhinierëve dhe meteorologëve.
Reagimi i tyre erdhi pas një konkursi për punë të shpallur nga MNAV.