U evakuuan edhe dy shtetasit e fundit të Maqedonisë së Veriut nga Gaza

 Çifti bashkëshortor, dy shtetasit e Maqedonisë së Veriut të fundit që ndodheshin në zonat e rrezikut, janë evakuuar nga Gaza. Ata janë aktualisht në strehim të sigurt dhe të përkohshëm në Kajro dhe së shpejti do të kthehen në shtëpi, njoftoi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohje të veçantë për angazhimin dhe profesionalizmin e u.d. ambasadorë në Tel Aviv dhe Kajro, Maçej Kaçorovski dhe Elma Altorok, të cilët bënë përpjekje të jashtëzakonshme në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit si dhe me qytetarët tanë”, shkroi Osmani në Facebook.

Së fundmi, u evakuuan tre nga pesë shtetasit e Maqedonisë në mënyrë të sigurtë nga Rripi i Gazës. Një baba dhe dy fëmijët u evakuuan përmes pikës kufitare Rafah, së bashku me nënën e tyre, e cila është shtetase e Palestinës.

 

Kujtojmë se Izraeli vendosi rrethim total në Gaza kur filloi luftën, kështu që askush nuk u lejua të largohej nga enklava, me përjashtim të katër pengjeve të liruara. Qeveritë e huaja thonë se ka shtetas të 44 vendeve dhe 28 agjencive dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Gaza.