“Projekti i shpresës”: Etika globale (II)

Pa konsensus rreth etikës shoqëritë herët a vonë do të kërcënohen nga kaosi dhe diktatura. Pra, pa etikë globale s’mund të ketë rend botëror të qëndrueshëm. Etika globale është ligj bazik i bashkëjetesë paqësore, madje  mund të karakterizohet si nënë e etikës së njerëzimit. Ndër vlerat që i afirmon etika globale janë respekti për të drejtat e njeriut, dashuria, mëshira, drejtësia, përkujdesja, shkëmbimi, solidariteti, mbrojtja e mjedisit, sinqeriteti, integriteti, përgjegjësia, maturia etj.

Një mbështetës i kësaj platforme është edhe Andre Shouraqui (1917-), i lindur na Algjeri, jurist nga Sorbona, orientalist, ekumenist, beletrist, bashkëthemelues i “Vëllazërisë Abrahamike”, i përkthyer në 20 gjuhë europiane dhe 3 gjuhë të Lindjes së Largët, përkthyesi i vetëm në botë dhe në histori i të tre librave të shenjtë të feve abrahamike, i Dhiatës së Vjetër nga hebraishtja, i Dhiatës së Re nga greqishtja dhe i Kur’anit nga arabishtja. Për përkthimet e tij kapitale të librave sakrale adashi i tij Andre Malraux do të thotë se është një “aventurë grandioze e shpirtit”.

Shouraqui nuk propozon sinkretizëm të feve botërore, por idealin për etikën e përbashkët (të mishëruar në Dhjetë Urdhëresat), sinergjinë (me energjitë e bashkuara shpirtërore) që është gjasa e vetme për mbijetesën e njerëzimit. Sipas tij religjonet e mëdha botërore janë bazë e etikës globale, bazamenti i vetëm për ndërtimin e një bote pa luftë, një botë e paqës, tolerancës dhe baraspeshës në nënën natyrë me të gjitha qeniet e gjalla dhe amorfe. (Pranjić, 2006) Do të ishte gabim fatal që etika globale të trajtohej  si zëvendësim i Torës, Predikimit të Malit, Kur’anit, i Bhagavadgitës, Ligjëratave të Budës ose Thënieve të Konfucit.

Sipas Ibañez-it etika globale nuk ka të bëjë me të drejtat, por me përgjegjësitë. Vlerat, standardet dhe qëndrimet e shprehura në këtë kategori etike nuk janë të negociueshme ose subjekt i legjislaciont ose procedurës gjyqësore, janë qëndrime që synohet të reflektohen në zemrat e individëve. Deklarata e Etikës Globale nuk është politike, as mistike, nuk është traktat filozofik. Ajo thjesht prezanton rregullat për jetë dhe konceptin që vjen nga përvoja humane. Është një kornizë etike për njerëzimin (ethical framework for humankind). Siç shprehet kryeaktori i kësaj nisme, Küng, “gjithnjë e më tepër po bëhet e qartë se vitet e ardhshme, bota në të cilën jetojmë mund të ketë gjasa për mbijetesë vetëm nëse në të nuk lëmë hapësirë për etika divergjente, kontradiktore dhe antagoniste.”

Etika globale është kulturë për evitimin e luftërave ndërfetare, ndërqytetërimore, është frymë që afirmon përkushtimin ndaj një kulture tolerante, joviolente dhe respektin për jetën. Për këtë më së miri flasin maksimat “Trajto çdo qenie njerëzore njerëzisht!: dhe “Së bashku mund të lëvizim bjeshkën!” Etika globale është mbiquajtur edhe projekt i shpresës (project of hope) në mikro dhe makro nivel.

Do shënuar se kjo platformë është e përafërt me “Aleancën e Qytetërimeve” të OKB-së (UNAOC) e themeluar në vitin 2005 si projekt politik i nxitur nga Kofi Annan dhe kosponsorizuar nga qeveritë e Spanjës dhe të Turqisë, që synon të avancojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin mes kombeve dhe popujve, kulturave dhe religjioneve. Do përmendur edhe nismën për dialog mes feve për të cilën ka pasur dilema të shumta, në veçanti nga bota islame që e ka quajtur ndërmarrje kristocentrik,e projekt i Vatikanit apo Kishës Katolike që i ka rrënjët në vitin 1965 (“Ecclesiam Suam”), që sipas sociologut Yümni Sezen (2006) shërben për shtrembërimin e islamit dhe zbutjen apo neutralizimin e myslimanëve.

Pranë Universitetit të Tübingenit funksionon edhe Instituti i Etikës Globale, moto e të cilit është “Fanari që unifikon vlerat” dhe që ka si objektiv promovimin e orientimit vleror në biznes dhe shoqëri dhe bashkëpunimin përmes mirëbesimit. Si pjesë e “Projektit të Etikës Globale” të Hans Küng-ut, instituti shkoqit pyetjet e mëposhtme: Në çfarë kushtesh mund të mbijetojmë së bashku ndonëse të ndryshëm kulturalisht, ideologjikisht dhe fetarisht brenda në një planeti të jetueshëm, duke formësuar jetën individuale dhe shoqërore në mënyrë njerëzore?

Sekretari gjeneral i Global Ethic Foundation, Stephan Schlensog, para një muaji e ca është shprehur si vijon: “Ne synojmë t’i bëjmë njerëzit e feve, kulturave dhe botëkuptimeve të ndryshme të diskutojnë mes vete… Ne flasim për paqe kur të tjerët ende ‘besojnë’ se paqja mund të bëhet realitet përmes violencës!” (weltethos.org)

Megjithatë ka edhe të atillë që dyshojnë në platforma si etika globale. Muzaffar Chandra, kryetar i Lëvizjes Ndërkombëtare për një Botë të Drejtë (Malajzi) në veprën e tij Global Ehics of Global Hegemony (2005) thotë: “Përderisa ka hegejmoni globale, një botë e drejtë në të cilën njerëzimi do të mbahej tok përmes vlerave, parimeve dhe standardeve universale do të mbetet vetëm një ëndërr.” Me fjalë të tjera hegjemonia globale mohon etikën globale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.