Procesi gjyqësor për keqpërdorimet financiare gjatë ndërtimit të Teatrit të Tetovës do të fillojë në korrik në Gjykatën e Tetovës
Pasi lënda e keqpërdorimeve financiare gjatë ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ‘shëtiti’ nëpër gjykatat e vendit, më në fund është caktuar se rasti do të gjykohet në Gjykatën e Tetovës dhe seanca e parë është caktuar më 14 korrik, shkruan Portaklb.mk.
Nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk konfirmuan se lënda për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ku disa persona fizikë dhe juridikë përfituan jashtëligjshëm mbi 13 milionë euro, pritet të fillojë më 14 korrik.
“Pas këqyrjes së kërkesës suaj dhe informacioneve nga Sektori Penal i Gjykatës së Tetovës ju njoftojmë se lënda është dorëzuat në Gjykatën e Themelore Tetovë dhe është caktuar seancë më datë 14.07.2025”, thanë nga Gjykata e Tetovës.
Kjo lëndë për disa muaj ‘shëtiti’ nëpër gjykatat e vendit,
Lënda fillimisht ishte në Gjykatën Penale të Shkupit. Më pas u dorëzua në Gjykatën e Tetovës, ku më pas e njëjta sipas sistemit AKMIS i ra gjykatësit Elvedin Ferati.
Por, Gjykata e Tetovës e dorëzoi këtë lëndë në Gjykatën Supreme me propozim për inicimin e procedurës për zgjidhjen e konfliktit të juridiksionit, ku në propozimin e tyre thuhej se kompetent për të vepruar në këtë rast është Gjykata Themelore Penale e Shkupit, konkretisht Departamenti i Specializuar për Gjykimin e Veprave Penale në Fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Megjithatë, Gjykata Supreme vendosi se Gjykata Themelore në Tetovë është kompetente për të vazhduar me çështjen. Sipas Gjykatës Supreme, propozimi i Gjykatës Themelore të Tetovës është i pabazuar, sepse veprat penale për të cilat është ngritur procedurë kundër të pandehurve nuk hyjnë në veprat penale të parashikuara në juridiksionin e Departamentit të Specializuar Gjyqësor për Gjykimin e Veprave në Fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
- LEXO: Keqpërdorimet financiare në ndërtimin e Teatrit të Tetovës: Gjykata Supreme vendosi që lëndën ta trajtojë Gjykata e Tetovës
- LEXO: Keqpërdorimet financiare në ndërtimin e Teatrit të Tetovës: Lënda arriti në Gjykatën Supreme
Kujtojmë që më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).
“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë“, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.