Keqpërdorimet financiare në ndërtimin e Teatrit të Tetovës: Gjykata Supreme vendosi që lëndën ta trajtojë Gjykata e Tetovës
Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që lënda për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ku disa persona fizikë dhe juridikë përfituan jashtëligjshëm mbi 13 milionë euro, t’i kthehet Gjykatës së Tetovës, pasi kjo e fundit ngriti lëndë për konflikt të juridiksionit, shkruan Portalb.mk.
Gjykata Themelore e Tetovës i paraqiti Gjykatës Supreme propozim për të filluar procedurën për konflikt juridiksioni, ku në propozimin e tyre thuhet se kompetent për të vepruar në këtë rast është Gjykata Themelore Penale e Shkupit, konkretisht Departamenti i Specializuar për Gjykimin e Veprave Penale në Fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Lidhur me këtë propozim, Gjykata Supreme për Portalb.mk bëri të ditur se më 30 prill solli vendim dhe të njëjtën ia ka përcjellë Gjykatës së Tetovës më 21 maj.
Në vendimin i cili është publik në faqen e internetit të Gjykatës Supreme, thuhet se:
“Gjykata Themelore në Tetovë përcaktohet si gjykatë me juridiksion për të vazhduar me çështjen e formuar në bazë të aktakuzës me propozim-akuzën e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”.
Sipas Gjykatës Supreme, propozimi i Gjykatës Themelore të Tetovës është i pabazuar, sepse veprat penale për të cilat është ngritur procedurë kundër të pandehurve nuk hyjnë në veprat penale të parashikuara në juridiksionin e Departamentit të Specializuar Gjyqësor për Gjykimin e Veprave në Fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe për këtë arsye Gjykata Themelore e Tetovës është kompetente për të vazhduar me çështjen.
Na ana tjetër, Gjykata e Tetovës për Portalb.mk tha se ende nuk e ka pranuar këtë vendim.
”Lënda ende nuk është dorëzuar në Gjykatën Themelore Tetovë”, thanë nga Gjykata e Tetovës.
Kjo lëndë fillimisht ishte në Gjykatën Penale të Shkupit. Më pas u dorëzua në Gjykatën e Tetovës, ku më pas e njëjta sipas sistemit AKMIS i ra gjykatësit Elvedin Ferati. Por, Gjykata e Tetovës e dorëzoi këtë lëndë në Gjykatën Supreme me propozim për inicimin e procedurës për zgjidhjen e konfliktit të juridiksionit.
Kujtojmë që më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).
“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë“, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.