Shuhen shpresat për Teatrin e Tetovës, ministri vlerësoi se objekti nuk do të përfundojë në kohë

Punimet për përfundimin e objektit të Teatrit të Tetovës nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti. Kështu ka vlerësuar sot ministri i Kulturës Zoran Ljutkov, shkruan Portalb.mk. 

Edhe pse dy muaj më parë ministri i Kulturës tha se këtë vit do të punohet intensivisht për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, sot ai tha se me dinamikën me të cilën ecin punimet për këtë teatër, nuk pritet që punimet për këtë teatër të përfundojnë në kohë. 

“Nuk janë lëshuar pak para për këtë objekt, por viteve të fundit janë aneksuar aq shumë objekte në pjesën e investimeve kapitale dhe brenda viteve kemi pasur mos realizim të mjeteve të lëshuara. Vetëm vitin e shkuar mbeten 220 milionë denarë të pa realizuara, si për mbrojtjen po ashtu edhe investimet kapitale. Ne do të prognozojmë një shumë parash dhe nëse punët do shihet se ecin mbarë, me rebalancin e buxhetit do të miratojmë më shumë para. Unë nuk besoj se do të përfundojë në kohë me dinamikën që po ecin punët por jo shkaku jonë por dinamikë e tillë është imponuar në vitet e fundit, por do intervenojmë që të realizohet sa më parë”, tha Ljutkov. 

Shpresa për përfundimin e objektit nuk dha as zëvendësministri Sedat Sulejmani.

“Mjete për Teatrin e Tetovës , asnjëherë nuk do të jemi të kënaqur deri sa të përfundojë. Teatri i Tetovës ka dhjetë vite që zhagitet çdo vjet, edhe situata shkon keq e më keq. Ne jemi ulur edhe në kuadër të Qeverisë e kemi diskutuar këtë problem. Unë shpresoj që deri në fund të mandatit tonë, deri në fund të mandatit tonë këtë problem ta zgjidhim, edhe besoj se do ta zgjidhim”, tha Sulejmani. 

Nga Qendra për Kulturë e Tetovës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Kujtojmë që në nëntor 2024 Ministria e Kulturës paralajmëroi se objekti i Teatrit të Tetovës do të përfundojë deri në fund të vitit 2025, më herët nga viti 2027 që kishte paralajmëruar ish ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska.

Derisa punimet janë zvarritur, janë bërë keqpërdorime të mëdha financiare për këtë projekt.

Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro). 

Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë. 

Ndërkaq në 2023 Biblioteka u zhvendos në hapësira të tjera brenda Pallatit, që shkaktoi përplasje midis Bibliotekës dhe Ministrisë së Kulturës. 

Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre. 

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë në afatin e dhënë sepse vazhdimisht afatet kanë ndryshuar dhe punimet janë zvarritur. 

Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 15 vite pas premtimit të dhënë. 

Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bibliotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta KançeskaMilevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë. 

Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.