Prijësit shpesh i manifestojnë mosdurimet e tyre personale në veprime politike, duke krijuar edhe plasaritje në përbashkësinë kombëtare.
Nëpërmjet fortafolësve partiakë, ata shpesh nxitin përçarje edhe në baza krahinore, duke shkelur kështu vijat e kuqe të vizatuara nga mendjendriturit e kombit, të cilët punuan me përkushtim e idealizëm për përbashkësinë kombëtare, në kohën kur përçarjet brendashqiptare nxiteshin sipas formulës: “Përçaj dhe sundo!”.
Qarqet të ndryshme propaganduan në vazhdimësi se shqiptarët “ishin grumbuj fisesh pa unitet kombëtar”, “të ndarë në baza krahinore e fetare” dhe “të paaftë për ta organizuar shtetin e tyre”. Pas këtyre etiketimeve pasonte kërkesa drejtuar fuqive të mëdha që ta pengonin krijimin e shtetit shqiptar, të cilin e paraqisnin si gogol për rajonin. Madje e shpikën edhe formulën: “Ballkani i ballkanasve”, por pa shqiptarët.
Këtij “misioni” të mbrapshtë iu bashkëngjitën edhe prijës shqiptarë: disa nga naiviteti, disa nga babëzia dhe të tjerë sepse ishin rimohues.
Prijës të ngrefosur, që punuan kundër kombit në emër të kombit, s’i kanë munguar asnjë etape historike.
Ernest Koliqi shkroi se vëllazërimin kombëtar e pengonin natyra individualiste e shqiptarit, “kalesa që mbjelli farën e dasís” dhe “propagandat që përdorshin çdo mjet për të sigurue interesa të huejsh në Shqipní”.
Sipas tij, vëllezërit Frashëri, Vaso Pasha dhe Jani Vretua i njihnin fare mirë pengesat, por vunë si gurëthemel të krijimit të një shteti të pavarur “ndiesín e vëllaznimit sipër fenavet e krahinavet”.
Ai i pa besimet dhe zakonet e shumta krahinore si pasuri dhe si zgjerim të qenies shqiptare.
“Kjo ndryshmëni e sipërfaqeshme, themelue mbi nji nënshtresë të njinjishme, e pasunon atdhen shpirtnisht… Atdheu i ynë s’asht nji vis monoton, por përkundrazi shum tërhjekës për polikromin e pamjeve, për ndryshmënin e shprehjeve njerëzore”.
Ndërkaq Eqrem Çabej e përkufizoi hapësirën shqiptare si “diversitet në unitet”, që sot është edhe kryefjalë e BE-së.
Është normale që prijësit të kenë vizione të ndryshme politike, por kur fillojnë ta shohin njëri-tjetrin si armiq të përbetuar dhe kur në këtë armiqësi duan ta përfshijnë kombin, atëherë bëhen të dëmshëm, kurse pasojat e veprimeve të tyre janë të paparashikueshme.
Ata duhet të jenë të vëmendshëm në disa gjëra: të mos nxisin përçarje, të ruajnë aleancat e natyrshme me shtetet mike dhe të mos e vënë në dyshim orientimin tonë drejt Europës.
Historia ka dëshmuar se shqiptarët kanë qenë humbësit më të mëdhenj për shkak të përçarjeve të brendshme, kur s’kanë pasur aleatë të fuqishëm, dhe kur e kanë humbur Europën.
Sot, kur synojmë të bëhemi pjesë e BE-së, është i domosdoshëm një konsensus për këtë çështje madhore, për të cilën kanë punuar breza të tërë.
Lufta politike le të bëhet për çështje lokale, por për çështjet jetike duhet të flitet me një zë. Çdo prijës ka për detyrë të afirmojë vlerat e kombit që përfaqëson dhe të punojë për ëndrrën e kahershme europiane.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.