Filmi “Nderi” premierë më 15 gusht, Edon Rizvanolli vjen para publikut strugan
Më 15 gusht, në ora 20:00, në Parkun e Poezisë në Strugë do të shfaqet premiera e filmit “Nderi”, kandidati i Malit të Zi për Çmimin Oscar dhe fitues i mbi 17 çmimeve ndërkombëtare. Në premierë do të jetë i pranishëm edhe aktori kryesor Edon Rizvanolli, i lidhur fort me Strugën përmes origjinës familjare, fëmijërisë dhe kujtimeve të tij, shkruan Portalb.mk.
“Nderi”, me regji të Nikolla Vukçeviq dhe skenar nga Ana Vujadinoviq dhe Melina Pota Koleviq, sjell një histori të fuqishme të bazuar në besën, mikpritjen dhe humanizmin. Filmi rrëfen historinë e Nur Dokës, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore refuzon të dorëzojë një fëmijë ortodoks të strehuar në shtëpinë e tij. Është një histori shqiptare e nderit dhe besës, e cila tashmë ka kaluar kufijtë e Ballkanit dhe ka marrë vlerësime të shumta në skenën ndërkombëtare.
Në një prononcim për Portalb.mk, aktori Edon Rizvanolli, thotë se rikthimi me këtë film në qytetin ku ka kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës është një ndjenjë e veçantë.
“Shfaqja e filmit “Nderi” në Strugë është për mua një ndjenjë e papërshkrueshme dhe po aq e bukur sa ajo që kisha gjatë shfaqjes së filmit në Prishtinë. Edhe pse nuk kam lindur në Strugë, e konsideroj veten po aq strugan sa edhe prishtinas, pasi që në Strugë kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës sime. Pra, përveç lidhjeve familjare dhe miqësore që kam me Strugën, kam edhe kujtime dhe përjetime të shumta të cilat më kanë formësuar”, deklaroi Rizvanolli.
Aktori e përshkruan Din Dokën si një figurë të “heroizmit të heshtur”, një njeri që duhet të përballet me një dilemë të fortë morale dhe emocionale, ndërsa për ndërtimin e tij është frymëzuar pjesërisht edhe nga gjyshi.
“Për mua, sfida më e madhe ka qenë jo vetëm krijimi i një karakteri shumështresor dhe arritja e besueshmërisë së veprimeve të atij personazhi në sytë e publikut, por, para së gjithash, krijimi i një personazhi i cili është në gjendje të mbajë në vete një tension që krijohet nga një dilemë morale. Për mua, Nuredin Doka është një person nga i cili kërkohet heroizmi, mirëpo në të njëjtën kohë i mohohet një heroizëm i tillë nga rrethi dhe rrethanat. Dhe bërja fizike dhe e kapshme, për shikuesin, e këtij pështjellimi moral dhe emocional ka qenë një ndër sfidat më të mëdha. Personazhi i Din Dokës përfaqëson një lloj heroizmi të heshtur, jo atë spektakolar, por atë që buron nga qëndrueshmëria ndaj vlerave në kushte ekstreme. E ndërtova, pjesërisht, edhe duke u frymëzuar nga gjyshi im strugan, Isan Ago, i cili njihej dhe çmohej si njeri i drejtë dhe i fjalës. Sfidë tjetër ka qenë edhe pjesa teknike e aktrimit dhe fakti që filmi është xhiruar gjatë një periudhe kohore katërvjeçare, të ndarë në katër blloqe. Kjo për mua ka paraqitur vështirësi, pasi që pas çdo ndërprerjeje i jam kthyer roleve të tjera në filma dhe seriale, ndërkohë që, kur kemi vazhduar me xhirimet e filmit “Nderi”, më është dashur t’i kthehem dialektit të Malësisë, emocioneve të lëna pas dhe karakterit të ndërtuar”, tha Rizvanolli.
Filmi tashmë numëron mbi 17 çmime ndërkombëtare dhe është kandidati i Malit të Zi për Oscar. Rizvanolli beson se fuqia e tij qëndron pikërisht te ndërthurja e një vlere thellësisht shqiptare me një dilemë universale njerëzore.
“Kjo histori prek diçka shumë njerëzore dhe, njëkohësisht, shumë tonën si shqiptarë: besën dhe rregullat e mikpritjes, të cilat janë të gdhendura thellë në identitetin tonë kolektiv. Filmi ngre një dilemë morale të vështirë, deri ku shkon një njeri për të mbrojtur dikë tjetër, edhe kur ai person i përket një kombi apo besimi tjetër, dhe besoj se pikërisht kjo dilemë universale e ka bërë historinë kaq të fuqishme, edhe jashtë kontekstit ballkanik. Fakti që bazohet në një ngjarje të vërtetë nga Lufta e Dytë Botërore i jep edhe një peshë të veçantë emocionale. Si artist, nuk jam idhtar i veprave artistike që bartin në vete “mesazhe”dhe që mëtojnë të “edukojnë” shikuesin, por si njeri, mesazhi të cilin besoj se filmi mund t’i përcjell publikut në Strugë është i thjeshtë dhe gjithnjë e më i nevojshëm sot: në kohë lufte, manipulimi dhe përçarjeje, nderi dhe njerëzimi nuk janë koncepte abstrakte, janë zgjedhje që bëjmë çdo ditë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Përkatësia jonë, qoftë kombëtare, fetare apo kulturore, nuk duhet përdorur kurrë si arsyetim për të mohuar të drejtën e ekzistencës tjetrit. Shpresoj që publiku në Strugë ta shohë këtë film jo thjesht si histori nga e kaluara, por si pasqyrë e sfidave morale që na shoqërojnë edhe sot”, deklaroi Rizvanolli.