Pretendohet pa fakte se aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci u bë për ta sulmuar Serbinë

Në një intervistë të fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u shpreh me tone alarmuese se krijimi i bashkëpunimit ushtarak midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën kërcënim ekzistencial për Beogradin. Aleancën mes tri vendeve të Ballkanit Perëndimor, dy prej të cilave janë anëtare të NATO-së, presidenti serb e paraqiti si të orientuar jo për bashkëpunim mbrojtës, por për ta sulmuar Serbinë në të ardhmen, shkruan Sbunker.

Ata formuan një aleancë ushtarake për të na sulmuar. Aleanca ushtarake nuk u formua për qëllime mbrojtëse. Çfarë do t’u duhej atyre? Kroacia dhe Shqipëria janë në NATO. Serbia nuk dëshiron të shkojë në luftë kundër Amerikës, Gjermanisë apo Francës dhe Italisë”, theksoi Vuçiç në intervistën ku e përsëriti se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, u shkel e drejta ndërkombëtare.

Sipas Vuçiqit, aleanca u formua për të pritur mundësinë që të shpërthejë një konflikt midis Evropës, në mënyrë që kur kjo të ndodh, shtetet që përbëjnë aleancën ta pushtojnë Serbinë nga disa drejtime të ndryshme.

Narrativa e ndërtuar nga Vuçiq nuk mbwshtetet nw argumente reale. E para, nuk ka prova për qëllimin sulmues, qoftë me dokumente apo plane operative që vërtetojnë pretendimet se ky bashkëpunim është drejtuar kundër Serbisë. E dyta, deklaratat zyrtare të palëve të përfshira e mohojnë atë. Vende si Kroacia dhe Shqipëria, të cilat janë anëtare të NATO-s, kanë thënë se marrëveshja nuk e kërcënon askënd.

E treta, përpjekja për ta paraqitur aleancën si një plan sulmuese bie ndesh me kontekstin e politikës së jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.

E vërteta e Marrëveshjes

Ajo që është nënshkruar në mars të 2025-ës ndërmjet Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë është një Deklaratë e Përbashkët për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes, si instrument i zakonshëm diplomatik për forcimin e aftësive ushtarake dhe përmirësimin e trajnimeve të përbashkëta për tu ballafaquar me kërcënimet e sigurisë, në përputhje me standardet euro-atlantike. Dokumentet zyrtare të kësaj deklarate nuk përmbajnë ndonjë element ku shfaqen ambicie sulmuese ndaj Serbisë apo vendeve të tjera.

Po ashtu, ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës e kanë qartësuar se ky bashkëpunim nuk është kundër askujt, por synon krijimin e bashkëpunimit si aleatë. Mes tjerash, ministri kroat pati theksuar se marrëveshja është e orientuar drejt “forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore”, dhe jo për të kërcënuar fqinjët. Një rrezik të tillë nuk e shohin as nga aleanca veri-atlantike, NATO.

Javët e fundit janë shtuar deklaratat zyrtare që vijnë nga Serbia duke iu referuar edhe investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me pretendimin se po rrezikohet komuniteti serb.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar duke potencuar se këto pretendime janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me realitetin në terren.

“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon. Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione”, ka deklaruar ai.

Po ashtu ekzistojnë mekanizma ndërkombëtarë që e kufizojnë angazhimin e FSK-së në veriun e populluar kryesisht me serbë, pa autorizim nga autoritetet e NATO-s. Kjo tregon qartë se nuk ka një agjendë sulmuese qoftë e drejtuar kundër komunitetit serb apo fqinjit verior, por respektim i rregullave që lidhen me sigurinë.

Postime me tone kërcënuese në Telegram

Narrativa zyrtare nuk mbetet vetëm në intervista apo deklarata shtetërore. Ajo amplifikohet në kanale nacionaliste në Telegram, ku retorika shpesh kalon nga alarmi në kërcënim të drejtpërdrejtë.

“Përgatitjet e të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës për 18-vjetorin e shpalljes së paligjshme të shtetit të rremë të Kosovës nuk mund të kalonin pa lavdëruar organizatën e tyre terroriste, UÇK-në. Le të shohim se si do të reagojnë BE-ja dhe NATO-ja tani ndaj këtij shpërthimi? A do ta dënojnë? Sigurisht që jo. Një organizatë terroriste që vrau civilë të pafajshëm në mënyrat më brutale po lavdërohet. Ne u themi atyre të festojnë këtë vit, mund të mos e kenë shansin vitin tjetër!”, shkruan në njërin prej këtyre postimeve.

Ky lloj mesazhi përmban disa elemente tipike të propagandës mobilizuese sikurse delegjitimim i shtetësisë së Kosovës, etiketimi kolektiv, sugjerim i heshtjes apo bashkëfajësisë së BE-së dhe NATO-s dhe më shqetësuesja, insinuatë kërcënuese për të ardhmen.

Këto postime ndërtojnë një klimë armiqësore ku çdo veprim institucional i Kosovës paraqitet si provokim, ndërsa çdo bashkëpunim rajonal si plan agresioni.

Mos njohja e realitetit

Qeveria e Serbisë vazhdon ta refuzojë realitetin e njohur ndërkombëtarisht në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Në deklaratën Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e shpërndarë me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thuhet se Serbia “nuk e ka pranuar dhe nuk do ta pranojë” këtë akt. Sipas tyre, deklarimi i pavarësisë së Kosovës ishte “shkelje serioze dhe flagrante e së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit të një shteti anëtar të OKB-së”. Serbia, me këtë qëndrim e vendos veten në pozicion absolut të refuzimit, duke mos marrë parasysh faktin se mbi 120 shtete të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe e mohon opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të cilin vetë Serbia e pati kërkuar, që konstatoi se shpallja e pavarësisë nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Kur pretendimet për një “aleancë sulmuese” shoqërohen me deklarata se rendi botëror është “rrënuar” nga pavarësia e Kosovës dhe kur kjo retorikë përforcohet nga mesazhe nacionaliste që lënë të kuptohet për përplasje të ardhshme, synohet të krijohet narrativa e frikës.

Marrëveshje të ngjashme 

Serbia pretendon se marrëveshja mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën kërcënim për sigurinë rajonale, por ajo vetë ka ndërtuar bashkëpunim të ngushtë ushtarak me Rusinë dhe Kinën, dy aktorë që konsiderohen sfidues të demokracisë dhe rendit ndërkombëtar. Serbia ka blerë armë nga Rusia përfshirë sisteme të avancuara raketore dhe pajisje të tjera ushtarake, si dhe ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta me forcat ruse. Po ashtu, Serbia ka forcuar bashkëpunimin e saj me Kinën në fushën e mbrojtjes, duke përfituar nga teknologjia e mbikëqyrjes dhe dronët e avancuar kinezë.

Në skenën ndërkombëtare, ekzistojnë shembuj të vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme sikurse ajo Kosovë-Shqipëri-Kroaci për të forcuar bashkëpunimin ushtarak.

Grupi i Vishegradit ku bënë pjesë Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë krijuar një aleancë për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe për të rritur ndërveprueshmërinë e forcave të tyre të armatosura.

Në fushën e mbrojtjes është i njohur edhe bashkëpunimi Nordik. Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia kanë një marrëveshje për bashkëpunim të ngushtë në çështjet e mbrojtjes, duke përfshirë stërvitjet e përbashkëta dhe shkëmbimin e informacionit.