Presidenti Pendarovski gjithashtu reagoi në lidhje me procesin gjyqësor ndaj gazetarëve të IRL-së

Presidenti i Maqedonisë së Veriut sot ka reaguar ndaj procesit gjyqësor në lidhje me presionin që po i bëhet gazetarëve të IRL-së në lidhje me një artikull, transmeton Portalb.mk.

“Liri e mediave është direkt e lidhur me shkallën e demokracisë në një shoqëri dhe me mbrojtjen e interesit publik. Gazetaria është profesion i lirë dhe ashtu duhet ti nënshtrohet principeve për vetërregullim nga ana e organizatave dhe organet mediatike”, deklaroi Pendarovski.

Ai në lidhje me rastin e gazetarëve të IRL-së, theksoi që qytetarët kanë të drejtë që në kohë të jenë të informuar për të gjitha çështjet me rëndësi në një shoqëri.

“Etiketime, diskreditim dhe tentime për rregullimin e gazetarëve dhe mediave ka pasur edhe në të kaluar, dhe jemi dëshmitarë që proceset e tilla nuk na dërgojnë deri te zhvillimi demokratik”, deklaroi Pendarovski, duke kërkuar si vend kandidat për në Bashkimin Evropian të respektojmë standardet evropiane.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar në shkrimin sqaruar të publikuar për aktgjykimin e gjyqtares Jovanka Spirovska Paneva, e cila ka vendosur në rastin “Feroinvest kundër IRL-së”. “IRL nuk është medium dhe mund të përballet me ndaljen e punës”, u parafrazua një pjesë e shkrimit sqarues në aktgjykim.

Në lidhje me këtë aktgjykim, SHGM-ja ka paralajmëruar rastin ta dërgon në Platformën e Këshillit të Evropës për promovimin e mbrojtjes së gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve.

SHGM-ja ka përkujtuar që “Komploti kundër ajrit” ishte emituar në RTVM, për çka IRL-ja kishte marrë edhe dy çmime në gazetari, ndërsa Këshilli i Nderit dhe Këshilli i Etikës ka vlerësuar që ky prodhim mediatik është në përputhje me Kodin Etik të gazetarisë.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Media (KEMM) në muajin tetor vlerësoi se vendimi i gjykatës kundër IRL-së është shkelje e dinjitetit të profesionit të gazetarit, sulm ndaj integritetit të gazetarëve dhe lirisë së shprehjes në Maqedoninë e Veriut.

Në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, para të pranishmëve në sallën e gjyqit, gjykatësja Jovanka Spirovska Paneva e shpalli aktgjykimin lidhur me padinë për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje nga Koço Angjushev, ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e RMV-së. Padia ishte kundër Laboratorit të Reporterëve Hulumtues (IRL) dhe kryeredaktores Sashka Cvetkovska.

“Vendimi ishte skandaloz dhe gjyqtarja që në një kohë e mbronte Sasho Mijalkovin tani është kthyer në mbrojtje të Koço Angjushevit. Siç shpjegoi edhe vetë aktgjykimi: e drejta private, e drejta e biznesit dhe interesi privat ishin më të forta se liria e fjalës. Kaq mund të thuhet për këtë vendim skandaloz. Kjo gjyqtare e humbi aktgjykimin e parë ndaj Mijallkovit në Strasburg, kolegët e ‘Fokusit’ e fituan rastin dhe ne do të kemi të njëjtën procedurë”, tha Cvetkovska.

SHGM, SPGPM dhe KEMM konsiderojnë se aktgjykimi paraqet një disfatë, e cila e vendos interesin privat të një biznesmeni të fuqishëm para interesit publik dhe interesit të qytetarëve dhe nuk u mor parasysh parimi i një pragu më të lartë të tolerancës ndaj kritikave që duhet të ekzistojë tek personat pubik, veçanërisht ata që mbanin poste të larta publike.

Për këtë rast, si Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG) poashtu edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (FNG) kanë pasur një reagim për transparencën, por edhe për vetë vendimin. Shoqatat e gazetarëve do të vazhdojnë të monitorojnë gjithë procesin deri në përfundimin e tij.

“Prandaj i kërkojmë publikut të qëndrojë i përmbajtur, të mos përdorë komente fyese dhe shpifëse, sepse rezultati do të pasojë me shfrytëzimin e të gjitha  mjeteve juridike”, përfunduan shoqatat gazetareske.