IRL njoftoi se do të kërkojnë drejtësi në Strasburg pasi Koço Angjushev fitoi çështjen gjyqësore kundër tyre

Biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev fitoi kontestin në Gjykatën Civile të Shkupit kundër Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese (IRL) dhe kryeredaktores Sashka Cvetkovska për akuzat e bëra në hulumtimin “Konspiracion kundër ajrit”, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot nga gjyqtarja Jovanka Spirovska-Panceva, IRL dhe Cvetkovska janë përgjegjëse për shpifje, duke paraqitur fakte të pavërteta në episodën e parë të hulumtimit “Konspiracion kundër ajrit” të transmetuar më 16 maj 2021 në MRT.

“…Kanë paraqitur fakte të pavërteta me qëllim që të cenojnë nderin dhe reputacionin e tyre (të paditësve)”, deklaroi gjyqtarja duke lexuar aktgjykimin.

IRL dhe Sashka Cvetkovska, sipas vendimit të gjykatës, secilit nga paditësit duhet t’i paguajnë nga 60 denarë në emër të kompensimit për dëmtim të nderit dhe reputacionit.

Derisa gjyqtarja Jovanka Spirovska-Paneva ishte duke lexuar aktgjykimin, kryeredaktorja e IRL-së, Sashka Cvetkoska doli nga salla e gjyqit. Gjatë arsyetimit të gjyqtares për një aktgjykim të tillë, në sallën e gjyqit pati revoltë nga pjesa tjetër e gazetarëve të IRL-së, por edhe nga përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik, të cilët me komentin e gjqytares se po bënin cirk, u larguan nga salla e gjyqit me thirrje indinjate se ishte një vendim i turpshëm.

Aktgjykimi për rastin Koço Angjushev kundër IRL-së më vonë para gjykatës u komentua nga kryeredaktorja Sashka Cvetkovska, e cila tha se ishte vendim skandaloz.

“Vendimi ishte skandaloz dhe gjyqtarja që në një kohë e mbronte Sasho Mijalkovin tani është kthyer në mbrojtje të Koço Angjushevit. Siç shpjegoi edhe vetë aktgjykimi: e drejta private, e drejta e biznesit dhe interesi privat ishin më të forta se liria e fjalës. Kaq mund të thuhet për këtë vendim skandaloz. Kjo gjyqtare e humbi aktgjykimin e parë ndaj Mijallkovit në Strasburg, kolegët e ‘Fokusit’ e fituan rastin dhe ne do të kemi të njëjtën procedurë”, tha Cvetkovska.

Ky vendim u dënua edhe nga kryetarët e Shoqatës së Gazetarëve të RMV-së dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik.