Pothuajse i gjithë shteti në zonë me rrezik të lartë nga zjarret
Sipas indeksit meteorologjik të rrezikut nga zjarret, pothuajse e gjithë territori i Maqedonisë së Veriut ndodhet në zonë me rrezik të lartë nga zjarret (ngjyrë portokalli), transmeton Portalb.mk.
Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se përjashtim bëjnë Malet e Sharrit dhe rrethina e Ohrit dhe Resnjës, ku është regjistruar indeks mesatar meteorologjik i rrezikut nga zjarret (ngjyrë e verdhë).
Për shkak të këtyre kushteve atmosferike, ekziston rrezik i lartë për shfaqjen dhe përhapjen e zjarreve në ambiente të hapura, si dhe të zjarreve me intensitet të lartë në pyje në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qendra për Menaxhimin e Krizave u bën apel qytetarëve që të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe të sillen me përgjegjësi, veçanërisht gjatë qëndrimit dhe lëvizjes në natyrë, si dhe të mos përdorin zjarr në ambiente të hapura.
Nëse vërehet zjarr, ai duhet të raportohet menjëherë në numrin 112.
Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.