Bomba ‘shpërtheu’ edhe midis LSDM-së dhe VMRO-së
Një bombë është hedhur dy ditë më parë në shtëpinë e Milko Boshkovskit, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), në sektorin për krim të organizuar. Kështu njoftoi sot LSDM-ja opozitare. Reagoi VMRO-ja e pushtetit, e konsideruan gënjeshtër reagimin e opozitës, transmeton Portalb.mk.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar–Sasha Dimitrijeviq, tha sot se, sipas informacioneve që kanë, Boshkovski është drejtpërdrejt i lidhur me kumbarin e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili është mik personal dhe bashkëpunëtor i tij i afërt. Sipas ityre, arsyeja për hedhjen e bombës në shtëpinë e Milko Boshkovskit në Bardhovcë, tha Dimitrijeviq, është marrëveshje e parealizuar biznesi me provizione.
“E ftojmë publikisht Prokurorinë Publike të hapë hetim, t’i verifikojë këto pretendime dhe dyshime të bazuara dhe të përgjigjet: A bëhet fjalë për provizion, ryshfet prej 300 mijë eurosh për biznese dhe tenderë? Ku është dashur të përfundojnë 300 mijë eurot? A ka ndonjë lidhje me tenderët në REK dhe me tokë ndërtimore atraktive në Shkup?“, thanë nga LSDM.
Ata gjithashtu pyetënnëse është e vërtetë se Boshkovski edhe më parë ishte denoncuar në Prokurorinë Publike për kërkim të ryshfetit prej 200 mijë eurosh nga një ish-kryetar komune.
LSDM-ja dje publikoi edhe një video nga kamerat e sigurisë, në të cilën shihet incidenti.
Nga ana tjetër, VMRO–DPMNE thotë se LSDM-ja e cila shpërndan lajme të rreme gaboi përsëri.
“Së pari, MPB-ja ka informuar për incidentin në buletinin e saj. Së dyti, nuk është e vërtetë se bomba është hedhur në shtëpinë e policit, por në shtëpinë e babait të tij. Së treti, LSDM-ja nuk ka prova, por vetëm një histori të sajuar dhe spekulime. Njësoj sikur të themi se Venko merr para për operacione dhe se kjo është sekret publik”, thanë nga VRMO–DPMNE.
Për këtë dje informoi edhe Ministria e Brendshme, ku thanë se po merren masa për zbardhjen e rastit.