Pothuajse drejtësi

Mbrëmë e pashë sërish filmin Amistad. Është një nga ata filma që, edhe kur e ke parë më parë, sërish të trondit. Jo vetëm për shkak të dramës së njerëzve të rrëmbyer, të shitur, të mbyllur në një anije dhe të trajtuar si pronë. Por filmi të trondit edhe sepse shtron një pyetje që mbetet gjithmonë aktuale: çfarë ndodh me një shtet kur e di se ku qëndron drejtësia, por nuk ka guxim ta zbatojë atë deri në fund?

Në njërën nga skenat më të fuqishme, pas shumë presionesh politike dhe diplomatike, gjykata vendos që njerëzit e Amistadit janë të lirë dhe se duhet të kthehen në vendin e tyre. Por rasti nuk përfundon aty. Prokuroria e çon çështjen më lart, në Gjykatën Supreme, me shpresën se instanca më e lartë do ta shohë rastin jo vetëm përmes drejtësisë, por edhe përmes frikës nga pasojat politike, duke qenë se lufta civile ishte në prag të derës. Me fjalë të tjera, kërkohej që drejtësia të peshohej kundër “paqes”, “stabilitetit” dhe “sigurisë”.

Kjo është dilema e vjetër e shumë shteteve që nuk kanë guxim të jenë të drejta: a duhet të sakrifikohet drejtësia për të ruajtur një paqe të përkohshme? Përgjigjja e vërtetë është se drejtësia nuk mund të sakrifikohet pa pasoja. Sepse paqja që ndërtohet mbi padrejtësi nuk është paqe. Është vetëm heshtje e detyruar. Është grumbullim i pakënaqësisë që një ditë kthehet si krizë edhe më e madhe.

Në film, Cinque nuk mund ta kuptojë pse, pasi kanë fituar në shkallën e parë, duhet të gjykohen sërish. Ai pyet, me logjikën e thjeshtë dhe të pastër të një njeriu që kërkon vetëm lirinë e vet: çfarë shteti është ky ku drejtësia pothuajse është arritur, por ende nuk është e sigurt? Kjo fjali, edhe pse vjen nga një histori e largët, tingëllon jashtëzakonisht afër nesh.

Sepse edhe ne shpesh jetojmë në një shtet ku drejtësia mbetet në gjysmë të rrugës. Çështja e provimit të jurisprudencës thuhet se është drejt zgjidhjes, por ende nuk është zgjidhur plotësisht. Ligji për përdorimin e gjuhëve ekziston, por zbatimi i tij mbetet i pjesshëm dhe i varur tërësisht nga vullneti politik i zbatuesve të ligjit. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve është parim kushtetues, por në praktikë shpesh mbetet i papërmbushur. Kemi ligje, kemi institucione, kemi mekanizma për mbrojtjen e të drejtave, por shumë shpesh gjithçka ndalet te premtimi, te procedura, te arsyetimi se “po punohet” dhe se një e drejtë “vetëm sa nuk është realizuar”. Kështu, gjysmë-zgjidhjet janë shndërruar në mënyrë qeverisjeje. Janë bërë kulturë institucionale. Janë bërë premtime që përsëriten aq gjatë, sa qytetarët lodhen duke pritur për të drejta që nuk duhet t’i presin, sepse tashmë u takojnë.

Në këtë kuptim, kërkesat e studentëve nuk janë vetëm kërkesa teknike për një provim. Ato janë thirrje për një shtet që nuk i lë të drejtat pezull. Për një shtet që nuk pret protestë për secilin nen të ligjit që duhet të zbatohet. Për një shtet që nuk i detyron të rinjtë të dëshmojnë vazhdimisht se ekzistojnë, se kanë të drejta, se janë qytetarë të barabartë dhe se nuk kërkojnë privilegje, por zbatim të asaj që tashmë është e shkruar në ligj.

Një tjetër skenë e rëndësishme në Amistad është ajo ku ambasadori spanjoll habitet me pavarësinë e gjykatave amerikane. Ai pyet si mund të qeverisë një president nëse nuk i kontrollon gjykatat. Përgjigjja është thelbi i shtetit të së drejtës: pikërisht aty qëndron forca e një shteti. Jo në kontrollin e gjykatave, por në pamundësinë për t’i kontrolluar ato. Jo në nënshtrimin e institucioneve ndaj politikës ditore, por në aftësinë e institucioneve për t’i rezistuar politikës kur ajo gabon.

Ky është mësimi që ne ende nuk e kemi mësuar plotësisht. Shumë shpesh, pavarësia e gjykatave dhe institucioneve shihet si pengesë, jo si garanci. Zbatimi i ligjit shihet si çështje vullneti politik, jo si detyrim kushtetues. Të drejtat trajtohen si tema për negociata, jo si standarde që duhen respektuar. Prandaj edhe kemi kaq shumë gjëra të lëna në gjysmë: reforma pa rezultat të prekshëm, barazi pa zbatim të plotë, drejtësi që vjen me vonesë dhe institucione që funksionojnë vetëm atëherë kur mbi to ushtrohet presion publik.

Por drejtësia e vonuar nuk është vetëm drejtësi e vonuar. Shpesh është drejtësi e mohuar. Në fund të filmit, edhe pse njerëzit e anijes Amistad fitojnë lirinë dhe u njihet e drejta të kthehen në Afrikë, koha e humbur nuk kthehet më. Dëmi i bërë nuk zhduket. Familjet e humbura, vitet e humbura, frika, poshtërimi dhe vuajtja nuk kompensohen me një vendim të drejtë që vjen tepër vonë. Ky është mesazhi më i dhimbshëm: edhe kur drejtësia fiton, ajo nuk është e plotë nëse vjen pas shumë humbjeve të pakthyeshme.

Edhe tek ne, shteti duhet ta kuptojë se të rinjtë nuk kanë kohë të pafundme për të pritur. Studentët nuk mund të mobilizohen për secilën të drejtë që institucionet duhet ta zbatojnë vetë. Nuk mund të pritet që çdo padrejtësi të korrigjohet vetëm pasi të bëhet protestë, pasi të ketë revoltë, pasi të dëmtohet besimi. Sepse një ditë, të rinjtë nuk do të protestojnë më. Ata thjesht do të largohen.

Dhe do të shkojnë drejt vendeve ku ligjet nuk janë vetëm tekst në letër. Ku institucionet nuk e matin drejtësinë me kalkulime politike. Ku pavarësia e gjykatave nuk shihet si arrogancë, por si dinjitet institucional. Ku shteti nuk i mban qytetarët peng të premtimeve dhe zgjidhjeve të pjesshme, por ua siguron pa vonesë të drejtat që tashmë u takojnë me ligj.

Prandaj drejtësia nuk duhet të sakrifikohet në emër të paqes. Sepse pa drejtësi nuk ka paqe afatgjatë. Ka vetëm shtyrje, lodhje dhe largim. Dhe një shtet që vazhdimisht u ofron qytetarëve drejtësi të papërfunduar, reforma të lëna në gjysmë dhe barazi të kushtëzuar, rrezikon të kthehet vetë në një shtet pothuajse funksional, pothuajse demokratik dhe pothuajse i besueshëm për qytetarët e vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.