BDI akuzoi për tenderë 3.4 milionë euro në Çair, VLEN iu kundërpërgjigj me akuzat për gjuhën shqipe
Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon se ekzistojnë dyshime serioze për mënyrën e shpenzimit të parave publike në Komunën e Çairit. Ata thonë se kompania kompani e themeluar në korrik 2024 përfiton mbi 3.4 milionë euro nga Komuna e Çairit, duke bashlëngjitur edhe katër kontrata, nga të cilat BDI pretendon se kjo kompani e ka përfituar shumën e lartcekur, transmeton Portalb.mk.
“Dokumentet që kanë arritur deri te BDI hapin dyshime serioze për mënyrën e shpenzimit të parave publike në Komunën e Çairit. Sipas të dhënave të disponueshme, kompania NUM KONSTRAKSHN LTD, e themeluar më 10 korrik 2024, ka arritur që brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër të sigurojë katër kontrata nga Komuna e Çairit në vlerë totale prej 3.462.665 eurosh”, thonë nga BDI.
Sipas partisë, këto 3.4 milionë euro janë përfituar përmes katër kontratave:
Kontrata nr. 1 – 88.433.315 denarë (rreth 1.44 milion euro)
Kontrata nr. 2 – 59.861.572 denarë (rreth 973 mijë euro)
Kontrata nr. 3 – 61.138.706 denarë (rreth 994 mijë euro)
Kontrata nr. 4 – 3.520.412 denarë (mbi 57 mijë euro)
Gjithsej: 212.954.005 denarë ose 3.462.665 euro para publike nga Komuna e Çairit.
“Edhe më shqetësues është fakti se bëhet fjalë për një kompani e cila është themeluar vetëm pak muaj para se të fillojë të fitojë kontrata milionëshe nga Komuna e Çairit. Veçanërisht domethënës është fakti se këto kontrata nuk janë lidhur brenda një periudhe të vetme politike. Dy prej tyre janë nënshkruar gjatë mandatit të Visar Ganiut, ndërsa dy të tjera gjatë periudhës kur strukturat politike të Izet Mexhitit kanë kontrollin e komunës. Kjo ngre dyshime serioze se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me vazhdimësi të të njëjtit model të funksionimit dhe të të njëjtave qarqe interesi”, akuzojnë nga BDI.
Ata shtojnë se edhe më interesant bëhet rasti kur shihen të dhënat për adresën e kompanisë.
“Sipas dokumenteve, selia e kompanisë figuron në rrugën “Dizhonska” nr. 5/X në Çair. Dokumentacioni i disponueshëm tregon se bëhet fjalë për një adresë private banimi, ndërsa në të njëjtën adresë figurojnë edhe subjekte të tjera afariste të lidhura me persona të së njëjtës familje. Këto fakte përbëjnë arsye të mjaftueshme për verifikim të plotë institucional”, thonë nga BDI.
Përballë këtyre fakteve, thotë BDI, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje: Si arriti një kompani e themeluar në vitin 2024 të fitojë mbi 3.4 milionë euro para publike?, Cilat ishin referencat dhe kapacitetet e saj reale në momentin e fitimit të këtyre kontratave?, Kush e verifikoi përmbushjen e kritereve për këto procedura?, A janë kontrolluar lidhjet eventuale afariste, familjare dhe politike që mund të kenë ndikuar në ndarjen e këtyre kontratave?, Pse institucionet vazhdojnë të heshtin përballë rasteve që në çdo demokraci funksionale do të meritonin hetim të menjëhershëm?.
BDI shton se shqetësues është fakti se pothuajse çdo aferë që del në opinion nga Çairi kalon pa reagim serioz institucional.
“Kur institucionet heshtin përballë dyshimeve të arsyeshme për keqpërdorim të parave publike, krijohet bindja se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet sipas ligjit, por sipas nevojave politike të pushtetit. Prandaj BDI kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Prokuroria Publike që menjëherë të verifikojnë të gjitha rrethanat që lidhen me këto kontrata dhe t’i bëjnë publike gjetjet e tyre. Njëkohësisht, BDI do të informojë Delegacionin e Bashkimit Evropian, Komisionin Evropian, eurodeputetët dhe partnerët ndërkombëtarë për dy fenomenet që po zhvillohen paralelisht në vend: mosveprimin institucional përballë dyshimeve serioze për korrupsion dhe procesin e vazhdueshëm të zhbërjes së mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, VLEN nuk është prononcuar për rastin, por është kundërpërgjigjur me akuzë për lënien pas dore të gjuhës shqipe. Ata shtojnë se, deputetja e BDI-së, “Rina Ajdari, e tha me gojën e vet atë që po e thotë VLEN-i me muaj: BDI-ja sa ishte në pushtet, nuk e kishte prioritet as gjuhën shqipe dhe as Provimin e Jurisprudencës”.
“Vetëm disa muaj pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, BDI-ja e votoi Ligjin për Provimin e Jurisprudencës pa e harmonizuar. Deputetët e Ali Ahmetit me dorën dhe votën e tyre e vulosën që ky provim të jepet vetëm në gjuhën maqedonase. Prandaj, sot secili qytetar e ka të qartë hipokrizinë e BDI-së, kur pa fije turpi del në protesta për jurisprudencën. Është tallje me shqiptarët dhe fyerje e inteligjencës së studentëve fakti që BDI proteston kundër vetvetes”, thonë nga VLEN.
Ndryshe, paraprakisht, Bashkimi Demokratik për Integrim publikoi dokumente nga Agjencia e Kadastrës të cilët, siç pohonin, hapin dyshime serioze për marrëdhëniet pronësore dhe biznesore midis ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama, të cilin partia opozitare e akuzon se ka përfituar kapital të konsiderueshëm pronësor dhe financiar derisa ka qenë i punësuar në Komunën e Çairit si këshilltar i Izet Mexhitit. Nga VLEN-i reaguan duke i hedhur poshtë si të pavërteta informatat që sot BDI-ja i prezantoi për gjoja lidhshmërinë pronësore të Ganiut me Ramën.