Posta e Maqedonisë do të stampojë pullë postare me imazhin e Luran Ahmetit, së shpejti edhe me Arbën Xhaferin

Posta e Maqedonisë më datë 31 korrik organizon takim përkujtimor në Teatrin e Shkupit, me fillim në orën tetë të mbrëmjes, me ç’rast do të promovohet dhe pulla postare me figurën e aktorit të ndjerë Luran Ahmetit .Më 31 gusht do të promovohet dhe pulla postare me imazhin e Arbën Xhaferin, njofton Portalb.mk.

Pullat postare janë imazhe përmes të cilave njihet posta e një shteti nga vendet tjera. Zakonisht janë figura të shquara të atij vendi që kanë kontribuar në sfera të ndryshme për ta çuar vendin përpara. Për programin e sivjetshëm është miratuar pulla postare me figurën e aktorit të ndjerë Luran Ahmetit.

“Iniciativa për një pullë postare dedikuar Luranit ka ardhur nga kolegët e tij të Teatrit Shqiptar, nga këshilli drejtues njëzëri është miratuar dhe si e tillë është vendosur në Programin vjetor 2023/2024”, thotë për Portalb.mk drejtoresha e postës, Bujare Abazi

Data e promovimit përkon me datëlindjen e tij.

Kjo mënyrë e përkujtimit të personaliteteve sigurisht është e mirëqenë kur bëhet fjalë për figura të ndritura, personalitete që i kanë dhënë kulturës dhe kombit. Po ashtu në fund të muajit gusht do t’i dedikohet një pullë postare edhe politikologut Arbën Xhaferi.

“Çdo vit ka pulla postare të dedikuara personaliteteve të ndryshme që kanë kontribuar për ngritjen e vlerave shoqërore, si: Gjerasim Qiriazi, Nenë Tereza,Marin Barleti, Filip Siroka, Aleksader Stavre Drenova-Asdreni, Naim Frasheri, Sami Frasheri, Haki Stermili, Jashar Bej Shkupi, Skenderbeu, Ibrahim Kodra, Faik Konica, Lorenc Antoni, Nexhat Agolli, Ibrahim Temo, Ali Pasa Tepeliena, Rexhep Mitrovica, ndërsa në programin e sivjetshëm bashkë me imazhin e Luran Ahmetit është edhe Arbën Xhaferi në datë 31 gusht, po ashtu Hasan Prishtina, sigurisht se gjatë vitit mund të ketë edhe iniciativa të  tjera”, shton Abazi.

Drejtoresha po ashtu për Portalb.mk  njofton se pullat postare janë në dy gjuhë ashtu siç edhe e parasheh edhe ligji.

Kujtojmë se aktori Luran Ahmeti ndërroi jetë gjatë kohës së pandemisë në moshën 46 vjeçare.

I ndjeri është djali i publicistit Xhabir Ahmeti dhe nënës Mejreme arsimtare e përkushtuar tashmë në pension, vëlla i poetes së njohur Lindita Ahmeti dhe bashkëshort i kostumografes Edlira Qyshka dhe baba i Arbës së vogël. Përveç këtyre edhe aktori i preferuar i shumë adhuruesve qoftë në film, teatër e seriale, brenda dhe jashtë vendit.