Pop-up, thrift dhe moda e qëndrueshme: Si po zhvillohet kultura second-hand në Maqedoninë e Veriut? (Video)
Në kafeterinë MAKKA u mbajt “Pop-up” event për “thrift” shopping ku mund të bliheshin veshje, libra, lodra dhe bizhuteri të përdorura por ruajtura mirë. Ky event u organizua nga platforma “Second Hand Faves” me seli në Shkup, e cila kujdeset për ndërgjegjësim ekologjik, për ripërdorimin e veshjeve, materialeve dhe qëndrueshmërinë e tyre, raporton Portalb.mk.
Blerja e artikujve të përdorura nuk është koncept i ri
Gjyshet dhe gjyshërit tanë rregullisht kanë blerë dhe kanë përdorur artikuj të përdorur. Disa prej tyre e kanë bërë këtë për shkak të gjendjes së tyre financiare, ndërsa për disa të tjerë kjo ka qenë një mënyrë jetese që e vlerësonte ripërdorimin, zgjatjen e jetëgjatësisë së artikujve dhe shmangien e konsumit të panevojshëm.

Sot, këto lloje tregjesh tashmë prej kohësh nuk janë një alternativë për blerje më të lira dhe gjithnjë e më shumë po pranohen dhe organizohen sidomos nga të rinjtë. Por, Ina Mihajllova, organizatorja e bazarit, nuk dëshiron që kjo të mbetet vetëm një trend. Ajo dëshiron që kjo të shndërrohet në një mënyrë jetese ku ripërdorimi dhe blerjet e qëndrueshme do të bëhen pjesë e përditshmërisë.
“Këtu ofrojmë hapësirë për dy kategori të njerëzve, ata që duan të shesin dhe ata që duan të blejnë, ka një miks të të dyjave. Dallimi është se kur vizitorët vijnë këtu ata kanë mundësi të komunikojnë, të njihen me njëri-tjetrin, të krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë dhe më të ngushtë me shitësin. Ata mund të zbulojnë pse një artikull po rishitet dhe çfarë historie qëndron pas tij”, thotë Mihajllova.

Çfarë mund të gjeni në një “Pop-up” event për shitjen e artikujve të përdorur
Në një “Pop-up” event për shitjen e artikujve të përdorur mund të gjeni gjithçka – nga xhaketa, xhinse dhe fustane unike, deri te aksesorë të punuar me dorë, çanta, këpucë, bizhuteri, madje edhe artikuj shtëpiakë dhe libra. Çmimet caktohen varësisht nga fakti nëse bëhet fjalë për artikuj që janë ndonjë brend apo të vjetra, si dhe nga vlera e tyre origjinale – artikujt e përdorur zakonisht shiten nga 200 deri në 600 denarë, ndërsa artikujt origjinalë vintage mund të arrijnë deri në 1.000 ose 1.500 denarë.
Ky event nuk është vetëm një vend ku mund të blini, por është edhe një hapësirë plot kreativitet dhe frymëzim në të cilin zbulimi i pjesëve të rralla dhe unike bëhet edhe një përvojë sociale. Përveç kësaj ai është edhe një mundësi e shkëlqyer për të takuar miq të rinj, për të shkëmbyer ide dhe për të krijuar kontakte të reja, duke e bërë çdo vizitë më shumë se vetëm një shopping.

“Në qendrat tregtare të gjitha dyqanet janë monotone dhe shumë shpesh përmes marketingut agresiv duan të na imponojnë një trend përmes të cilit na fusin të gjithëve në një kallëp. Këtu, çdo copë është individuale dhe u mundëson blerësve ta ruajnë karakterin e tyre”, thotë Mihajllova.
Bazari i radhës do të mbahet më 21 shkurt në kafeterinë MAKKA. Do të ketë dy DJ, meze dhe llotari, ndërsa kushdo që dëshiron mund të shkojë dhe ta përjetojë personalisht këtë përvojë unike.
Nga lokale në online: moda e qëndrueshme në Maqedoni
Për dallim nga metropolet botërore ku blerjet “second hand” prej kohësh kanë qenë një praktikë e pranuar dhe e normalizuar, dhe e mbështetur nga platformat e mëdha digjitale dhe një kulturë e fuqishme e modës së qëndrueshme, në vendin tonë kjo gjë ende po ndërtohet gradualisht. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë Vinstreet.mk, një platformë digjitale që i lidh dyqanet lokale dhe shitësit e produkteve të përdorura me personat që duan të blejnë në mënyrë të vetëdijshme dhe të qëndrueshme, duke funksionuar si një urë mes komunitetit dhe kulturës “second hand” dhe duke e lehtësuar zbulimin e pjesëve unike, si dhe duke mundësuar mbështetje për bizneset lokale.

“Mentaliteti i njerëzve tashmë po ndryshon dhe numri i blerësve që e pranojnë këtë praktikë vazhdimisht po rritet”, thotë Tijana Cresenzi, krijuese e platformës për blerjen dhe shitjen e veshjeve dhe artikujve të përdorur në Maqedoni.
Jetë e re për materialet e vjetra: Moda e ricikluar me Sara Rexhiq
Sara Rexhiq është pjesë e trendit në rritje të modës së ricikluar, ku materialeve të vjetra u jepet një jetë e re dhe transformohen në veshje unike, shumëngjyrëshe dhe të gjalla. Krijimet e saj janë të realizuara me materiale natyrore dhe janë të destinuara për çdo vajzë dhe grua që i pëlqen ngjyrat e ndezura, detajet që e bëjnë çdo artikull të veçantë dhe veshje që vishen me gëzim dhe dëshirë. Me punën e saj Sara jo vetëm që promovon qëndrueshmëri, por edhe i frymëzon njerëzit ta vlerësojnë ripërdorimin dhe kreativitetin në modë.

“A ka gjë më të bukur sesa t’i japësh një artikulli një shans për t’u rikthyer në jetë si diçka e bukur, në diçka që mund të shkëlqejë me gjithë shkëlqimin dhe bukurinë e tij përsëri, e që në të kundërtën ndoshta do të përfundonte në koshin e plehrave edhe pse ende ka kaq shumë bukuri në vete. Pa dallim nëse bëhet fjalë për një xhaketë, një çantë apo ndonjë artikull dekorativ. Një sfidë e madhe në këtë kohë – pa kohë – është që ta ndihmojmë planetin tonë. Ja, në një mënyrë që u pëlqen shumë njerëzve “, thotë Rexhiq.
E qëndrueshme, por jo perfekte: pasqyra e vërtetë e veshjeve të përdorura
Blerja e veshjeve të përdorura ka përparësi të konsiderueshme, por ka edhe disavantazhe. Edhe pse e zgjat përdorimin e materialeve ekzistuese dhe e zvogëlon kërkesën për veshje të reja nuk e eliminon plotësisht mbikonsumimin, sepse disa njerëz në të njëjtën kohë blejnë edhe veshje të reja. Shumë nga këto artikuj janë produkte të modës së shpejtë dhe janë me cilësi të dobët, gjë që i zvogëlon përfitimet ekologjike nëse vishen për një kohë të shkurtër.

Krahas kësaj transporti i rrobave në distanca të gjata dhe importimi i tyre në vendet pranuese krijon emetime dhe mbeturina shtesë, ndërsa një pjesë e veshjeve përfundojnë në deponi, nxjerr në pah kështu një hulumtim i publikuar nga Universiteti Yale në SHBA. Pastaj, në disa shoqëri blerja e veshjeve të përdorura vazhdon të jetë e stigmatizuar, ndërsa nëse rrobat nuk janë të dezinfektuara siç duhet, ekzistojnë edhe rreziqe shëndetësore. Të gjithë këta faktorë tregojnë se që blerja e veshjeve të përdorura të jetë vërtet e qëndrueshme nevojitet një përdorim i ndërgjegjshëm dhe afatgjatë.
