Erasmusi shqiptar assesi të gjejë implementim, VLEN pa ‘takat’ ta realizojë

Erasmusi shqiptar me Shqipërinë dhe Kosovën të cilin e premtoi koalicioni VLEN në programin e tyre zgjedhor assesi të gjejë zbatim në praktikë. Derisa VLEN arsyetohet, nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk japin sinjale të qarta se janë të përkushtuar që këtë projekt ta zbatojnë në praktikë, shkruan Portalb.mk.

Çfarë premtoi VLEN?

programin zgjedhor me të cilin VLEN garoi në zgjedhjet e fundit parlamentare qëndron Erasmusi shqiptar, në faqe 45 thuhet:

“Ministria e Arsimit në qeverinë e VLEN do të bëjë marrëveshje me Kosovën dhe Shqipërinë që studentët tanë të kenë mundësi për të zhvilluar një vit universitar në njërin nga universitetet në Kosovës e të Shqipërisë. Këto programe i ndihmojnë mobilitetit të studentëve, e në të ardhmen edhe mobilitetit shoqëror e atij ekonomik, në një treg pune që do të jetë gjithmonë e më i integruar”.

Gati dy vite më vonë, asgjë konkrete

Pavarësisht se kanë kaluar gati dy vite që nga zgjedhjet parlamentare, nuk ka asnjë aktivitet apo nismë konkrete lidhur me këtë premtim.

Nga koalicioni VLEN për Portalb.mk thonë se mbeten të përkushtuar që të krijojnë model rajonal të mobilitetit dhe shkëmbimit akademik për të rinjtë, si pjesë e vizionit për arsim më cilësor dhe më shumë mundësi për studentët.

“Procesi kërkon koordinim institucional, harmonizim procedurash dhe marrëveshje konkrete me partnerët në Kosovë dhe Shqipëri, në mënyrë që iniciativa të jetë funksionale, e zbatueshme dhe me efekt real për universitetet dhe studentët. Prandaj, aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të mekanizmave më të përshtatshëm dhe të finalizimit të elementeve që e bëjnë atë të realizueshme në praktikë”, thanë nga VLEN.

Por, nga aty nuk japin asnjë afat konkret kohor se kur e njëjta do të vendoset në zbatim.

S’ka sinjale të qarta as nga MASh dhe as nga Qeveria

Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut ndonëse e pyetur shumë konkretisht për këtë nismë, folën për aspekte të tjera dhe nuk dhanë përgjigje të qartë dhe konkrete.

Nga aty në vend se të tregojnë nëse do e realizojnë këtë nismë ose jo, treguan për programin Erasmus të BE-së dhe se për këtë vit vendi ka siguruar 8 milionë euro, të cilat u janë në dispozicion të gjithë subjekteve të interesuara, përfshirë edhe universitetet, të cilat mund të rrjetëzohen me komunitetet akademike të shteteve të tjera.

“MASh nxit gjithashtu lidhjen me vendet e zhvilluara të Evropës, por veçanërisht edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, sepse ky bashkëpunim mundëson forcimin e rajonit dhe integrim më të lehtë në hapësirën evropiane të arsimit”, thanë nga MASh

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut të pyetur lidhur me këtë çështje iu referuan përgjigjes së lartpërmendur nga Ministria e Arsimit.