Politikat e Putinit dhe agonia në Maqedoninë e Veriut

“Kur lufton një përbindësh, duhet të kesh kujdes që të mos bëhesh vetë përbindësh. Dhe nëse shikon në humnerë për një kohë shumë të gjatë, edhe ajo do fillojë të shikojë ty”, thotë Friedrich Nietzsche.

Një video-konferencë që u mbajt midis Zelenski-t, Tramp-it dhe udhëheqësve të vendeve evropiane, ku u përfshinë edhe Britania e Madhe dhe Kanadaja, kishte për qëllim një konsultë para takimit midis Tramp-it dhe Putin-it, që u mbajt në Alaska, i cili tani mund të bëj një pikë kthese në rendin botëror tashmë jofunksional.

Rusia tani kontrollon mbi 1,200 km të bregdetit të Detit të Zi, pra 800 km më shumë se para konfliktit. Plus bregdetin e Abkhazisë me rreth 211 km, gjë që shkel ndjeshëm interesat e vendeve të Detit të Zi, veçanërisht Turqisë. E gjithë kjo po finalizohet nga fabrika ruse për prodhimin e vdekjes. Rusia ka përfitime të mëdha nga nafta dhe gazi, dhe përveç kësaj, rajonet e Donetskut, Luganskut, Zaporizhias dhe Khersonit ishin zemra industriale e Ukrainës. Edhe për Turqinë kjo është tashmë një makth. Rusia tani duket se duhet të kompensojë humbjen e Mesdheut (pas humbjes së Sirisë), me Baltikun dhe Ballkanin, i njohur si “Koncepti i Dy Deteve” (“Intermarium”), i cili është një zonë që lidh Detin Baltik me Detin e Zi nga njëra anë dhe me Detin Adriatik nga ana tjetër. Prandaj këtu frika për pushtimin e tre vendeve baltike: Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, me qëllim lidhjen me enklavën ruse – Kaliningradin.

Gjenerali David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s, thotë se “Lituania është objektivi i radhës, për të testuar vendosmërinë e Perëndimit. Me ndihmën e kaosit, objektiv i konceptit “Intermarium” është po ashtu rajoni ku shtrihen Sllovakia, Hungaria dhe Serbia. Këto vende, megjithëse kanë marrëdhënie me NATO-n (dy të parat janë anëtare, ndërsa e treta ka një “partneritet për paqe”), shijojnë në mënyrë masokiste brutalitetin rus, duke hyrë me të drejtë në listën – shtete të mallkuara.

Mosnjohja e Kosovës nga Sllovakia është brenda kornizës së kontrollit të telekomandës ruse. Hungaria, me regjimin e saj autoritar, është një kundërshtare e hapur e vlerave perëndimore dhe duke ndjekur rrugën e së keqes gëzon “neutralitet pro-rus”, duke bllokuar, zbutur ose vonuar masat e BE-së dhe NATO-s ndaj Moskës. Varësia prej 80-85% nga gazi rus dhe mbështetja e kompanisë shtetërore ruse “Rosatom” për instalimin e një centrali bërthamor dhe infrastrukturës në Hungari janë fakte shtesë për një strategji të tillë.

Është pikërisht treshja Hungari-Sllovaki-Serbi që Rusisë historikisht i duhet si një pykë drejt pjesës lindore të NATO-s dhe BE-së, me qëllim që të vinte në pikëpyetje kohezionin euroatlantik dhe evropian, nëpërmjet destabilizimit të rajonit, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Nuk është rastësi që të tre vendet – Kroacia, Shqipëria dhe Kosova – nënshkruan një aleancë ushtarake, pikërisht në kulmin e agresionit rus në Ukrainë. Dihet se që nga sulmi rus ndaj Ukrainës, Serbia ka orkestruar shtatë incidente të mëdha me qëllim që të provokojë një konflikt ushtarak në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë (dhe rrjedhimisht me NATO-n).

Lituania është një kërcënim për regjimin e Putinit, me një demokraci e ekonomi të konsoliduar që siguron 55,000 dollarë për frymë, krahasuar me 14,000 dollarë për frymë për qytetarët rusë. Gjermania ka një PBB 2.2 herë më të madhe se ajo e Rusisë, megjithëse është pothuajse 50 herë më e vogël në territor. Për më tepër, Gjermania tani është e lirë nga kufizimet e Luftës së Dytë Botërore dhe mund të ndërtojë arsenalin e vet bërthamor. Bloomberg beson se për të shmangur sanksionet e naftës, Kremlini është gati të bëjë një gjest në formën e një moratoriumi për sulmet ajrore të thella në qytetet ukrainase, pa ndaluar ofensivën tokësore. Pra, Kremlini po përpiqet të blejë kohë duke bërë lëshime minimale, madje edhe artificiale, ndaj Trampit.

Shumë diplomatë dhe shkencëtarë politikë mendojnë se Putini mund të jetë më i interesuar në vonesën diplomatike ose fragmentimin e negociatave për të blerë kohë sesa në arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Por Shtëpia e Bardhë beson se “bisedimet e drejtpërdrejta ia vlejnë t’u jepet një shans”. Pas gjashtë muajsh përpjekjesh të dështuara, shkallëzimi arriti në një pikë ku Presidenti Tramp pat mobilizuar dy nëndetëse bërthamore dhe kërcënime me sanksione të reja kundër Rusisë, Tramp dhe Putin u takuan në Alaska për të diskutuar një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo marrëveshje, thotë Tramp me optimizëm të kujdesshëm, do të përfshinte “shkëmbime territoriale që do të përfitonin të dy vendet”. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë, të shqetësuar se Tramp dhe Putin mund të arrinin një marrëveshje pa ta dhe më pas t’ia impononin atë Kievit, kanë kërkuar që të dy presidentët të takohen me Zelenskin, gjë që rusët deri më tani e kanë refuzuar dhe njëherit edhe ata të jenë në tryezën e negociatave.

Evropianët besojnë se Putini po kërkon kontrollin rus mbi të gjithë rajonin e Donbasit, madje edhe territoret që Rusia nuk i kontrollon (territoret përreth Khersonit dhe Zaporizhias), ku trupat ruse nuk e kontrollojnë të gjithë territorin. Megjithatë, është ende e paqartë nëse Putini dëshiron që Ukraina të dorëzojë centralin bërthamor kritik, të cilin Rusia aktualisht e mban, në këmbim të kombinimeve territoriale. Sipas “Wall Street Journal”, nuk është e qartë nëse amerikanët po negociojnë një ngrirje në vijën e frontit apo një tërheqje prej saj, të paktën pjesërisht, gjë që ndoshta do të lejonte përdorimin e termit “shkëmbim territorial”. Konkretisht, ky term është i paqartë, pasi Ukraina kontrollon vetëm rreth 10 km2 tokë ruse në Kursk, ndërsa Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas.

Zelenski refuzon të dorëzojë territore!

Presidenti Zelenski ka hedhur poshtë kategorikisht idenë që Ukraina mund t’i dorëzojë tokë Rusisë: “Ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e tyre pushtuesit”, tha ai. “Çdo vendim i marrë pa Ukrainën është në të njëjtën kohë një vendim kundër paqes. Këto vendime nuk do të arrijnë asgjë. Këto vendime nuk do të funksionojnë kurrë”, përfundoi ai. Përveç pengesave të shumta politike dhe ushtarake për Ukrainën që nënkupton kjo situatë, duket se nuk ka asnjë pikëpamje se Rusia do të pranonte ndonjë garanci sigurie që Ukraina mund të merrte nga Shtetet e Bashkuara ose Evropa në këmbim të heqjes dorë nga një pjesë e territorit të saj, si dhe për të ardhmen e aseteve të ngrira ruse. Përpjekjet duhet të synojnë që rusët të pranojnë se Ukraina duhet të jetë e armatosur për të parandaluar çdo agresion të ardhshëm rus. Në fakt, pyetja është “kur”, jo “nëse”, Rusia do të sulmojë përsëri, tha Zelenski.

Qëllimi i Putinit është ta shndërrojë fitoren ushtarake në një biletë për kthimin e Rusisë në klubin e fuqive botërore. Por pa njohjen perëndimore, kjo është e pamundur. Ai dëshiron të sigurojë aleanca strategjike për përfitime ekonomike, veçanërisht me Kinën dhe Indinë, sepse izolimi është i rrezikshëm. Kina blen 47% të eksporteve të naftës bruto ruse, India 38%, dhe Turqia dhe Bashkimi Evropian blejnë nga 6% secila. Kremlini e trajton Samitin e Alaskës si një vend ku mund të shpallë një fitore që i mungon në masë të mjaftueshme në fushën e betejës. Për Putinin, fitorja nuk ka të bëjë vetëm me pushtimin e territorit, por edhe me diktim të kushteve, ripërcaktim të kufijve dhe njohje të një realiteti të ri. Në Uashington, Instituti për Studimin e Luftës është thellësisht pesimist, duke besuar se presidenti rus dëshiron të shkojë përtej këtyre lëshimeve territoriale dhe synon ta shndërrojë Ukrainën në një shtet kukull. “Putini ende nuk dëshiron t’i japë fund luftës dhe po përpiqet të marrë lëshime dypalëshe nga Shtetet e Bashkuara dhe të fitojë kohë”, thotë ai.

Të tjerë argumentojnë se nëse Tramp do të binte dakord me kushtet e Putinit, kjo do të ishte një përsëritje e Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938, e cila i lejoi Gjermanisë naziste të përpinte të gjithë Çekosllovakinë dhe të niste Luftën e Dytë Botërore. Megjithatë, situata mbetet shumë fluide, dhe ndërsa presioni global rritet, një ngrirje e luftimeve duket më e mundshme. Ukraina mbetet e vendosur në kërkesën e saj që çdo zgjidhje të përfshijë pjesëmarrjen dhe garancitë e saj të drejtpërdrejta. Gjenerali francez Thierry Burckhard, një ish-shef i shtabit, thotë se pas vetëm pesë vitesh armëpushim në Ukrainë, Rusia do të ketë përsëri kapacitetin për të paraqitur një kërcënim ushtarak për vendet perëndimore. Me tërheqjen e SHBA-së, aleatët evropianë kanë shumë punë për të bërë për të ndërtuar një mbrojtje të besueshme kontinentale.

Po vlon në Ballkan!

Çdo teshtitje aty pranë, Ballkani perëndimor merr ethe. Udhëheqja aktuale e Maqedonisë së Veiut, me vetëdije apo jo, është një kërcënim serioz për vendin dhe njerëzit e mbetur në të. Qeveritë tona për vite nuk kishin dhe nuk kanë një vizion elementar për zhvillimin e vendit. Ose nuk kanë kapacitet shtetëror, ose nuk kanë njohuri, ose janë të kapura nga individë që e trajtojnë të gjithë vendin si pronë private e tyre! Qeveri të shumta (përfshirë edhe atë aktualen), kanë shkatërruar pa mëshirë të vërtetën e nesërme në emër të së kaluarës së rreme! Nuk mund të arrish askund me qerren e së kaluarës. Përveç në ndonjë vend të huaj të largët.

Nga 16 vende të Bllokut Lindor, ne jemi bërë të fundit. Madje edhe të pashpresë. Gjithmonë është faji i dikujt tjetër që na bllokojnë, kurse ishim para të gjithëve. Nëse do të kishim mendje, do të ishim bërë patronë, por përfunduam si shërbëtorë i të gjithëve. Nesër do të na bllokojë Shqipëria, pastaj ndonjë vend tjetër ose i tretë, dhe ne do të qajmë kush e di sa herë për fatin e pafat që krijojmë vetë çdo ditë. Bota është lodhur prej nesh sepse shoqërojmë djallin. Tani të vetëm në ujëra të egra, madje as që dimë të notojmë. Dikush duhet t’i tregojë të paktën atij numri të vogël njerëzish që kanë tru të pakompletuar se edhe perandori të fuqishme janë shembur “dhe asgjë askujt”! Shteti i Hunëve, perandoria më e madhe në historinë e njerëzimit, u shemb. Perandoria Romake, Babilonia, Kartagjena (kamçiu i botës), Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia…

Me çfarë force do të mbijetojë Maqedonia?! Fati i krahinës Serbe në Kroaci, e cila refuzoi autonomi të gjerë në emër të shtetësisë së rrejshme, e tani atje s’ka mbetur as një komunë. Zakonisht, “patriotët” e mëdhenj sjellin disfata të mëdha. Tashmë po diskutohet në qendra të rëndësishme botërore se Maqedonia s’ka kapacitet të mbijetojë. Kur nuk e pranojmë diçka si një “të keqe të domosdoshme”, ajo shpejt fillon të duket si e nevojshme, e më pak si e keqe. Qendrat botërore janë të lodhura me ne sepse vetë bëjnë çdo ditë një lloj kompromisi. Kurse këtu vajtohet për 35 vjet për shkak të budallallëqeve që vetë shpikin për të rritur artificialisht vogëlsinë natyrore. Për 35 vjet kemi krijuar probleme që tani s‘duam t’i zgjidhim. Sikur nuk na intereson asgjë më, kurse askush nuk është kthyer kurrë nga “mosinteresimi”! Mbetet mbjellja e urrejtjes etnike, e cila është më e rrezikshme sesa të shkelësh në një fushë të minuar.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.