Të pavarurit në RMV vazhdojnë të mbledhin nënshkrime për krijimin e platformës politike: Pabarazia vazhdon 

Nismat e pavarura të aktivistëve dhe qytetarëve nuk do të tërhiqen nga krijimi i platformës politike, pavarësisht se KSHZ-ja dje vendosi që kandidatëve të pavarur ju nevojiten vetëm dy nënshkrime, transmeton Portalb.mk. 

Nismat e pavarura qytetare thonë se edhe pse u ul pragu për pjesëmarrje në zgjedhje, ata do të vazhdojnë mbledhjen e nënshkrimeve për krijimin e platformës politike “Të Pavarurit së Bashku” 

“Kjo rregullore do të zbatohet vetëm për këto zgjedhje. Nuk duam më pasiguri “pesë në dymbëdhjetë”. Do të vazhdojë zbatimi i nenit të ligjit sipas të cilit grupet e pavarura do të përfaqësohen vetëm nga emrat e bartësve të listës, në vend të emrit të grupit, d.m.th. do të shkruhet “grup votuesish” dhe emri dhe mbiemri i bartësit të listës. Kjo hap mundësinë e shfaqjes së emrave të ngjashëm me qëllim krijimin e konfuzionit midis votuesve. Shembull: Biljana Ivanovska dhe Biljana Ivanovska. Kjo ka ndodhur tashmë në zgjedhjet e mëparshme”, thonë aktivistët.  

Ata theksojnë se ekziston mundësia që në vend të një liste të qartë votimi, të marrim një fletore me një numër të madh emrash, ku partitë do të jenë në krye, dhe poshtë tyre do të vijojnë lista të gjata emrash. 

“Gjithashtu, qasja në media, listën e votuesve dhe burime të tjera në dispozicion të partive mbetet e pandryshuar. Pabarazia vazhdon”, thonë aktivistët. 

Ata u bënë thirrje grupeve të organizuara nga RMV-ja të bashkohen, dhe të gjithë qytetarëve, nëse duan t’i mbështesin, ta bëjnë këtë këtë javë. 

Kujtojmë që më 17 gusht Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi që dy nënshkrime nga dy zgjedhës do të jenë të nevojshme që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor.

Një ditë më heret, më 16 gusht Kuvendi pati përpjekje për të miratuar ndryshime në Kodin Zgjedhor që do ta rregullonin numrin e nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët e pavarur për zgjedhjet lokale, por edhe pse u sigurua shumica e nevojshme, nuk pati numrin e mjaftueshëm të votave sipas Badenterit dhe ato nuk u miratuan. Ndryshimet e propozuara parashihnin që kandidatët e pavarur të duhej të mblidhnin 0,5 për qind të nënshkrimeve nga zgjedhësit e regjistruar në listën zgjedhore të njësisë zgjedhore (NJZ). 

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet 17 dhe 18 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të miratuara më 7 mars 2024, me të cilat partitë në pushtet dhe opozita rritën së bashku pragun për nënshkrimet e kërkuara në 1 përqind të elektoratit në një zonë zgjedhore për pjesëmarrjen e listave të pavarura në zgjedhje, u krijua një boshllëk ligjor, sepse ndërkohë Parlamenti nuk miratoi dispozita të reja ligjore mbi numrin e nënshkrimeve të kërkuara.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.